Lista me kandidatët jo prokurorë dhe jo gjyqtarë për KLP dhe KLGJ është rrëzuar sërish me shumicë votash në parlament. Sipas procedurës së parashikuar në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, nënkomisioni përkatës parlamentar duhet të hartojë një listë të tretë kandidatesh brenda dy ditësh.
Nën kushte jo normale të zhvillimit të seancës plenare të 1 shkurtit, parlamenti nuk arriti të bënte bashkë 94 vota, pra dy të tretat e kërkuara në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë për miratimin e listave me kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë. Kjo është lista e dytë e përpiluar me short nga nënkomisioni përgjegjës që nuk merr votat e mjaftueshme në Parlament, duke e çuar procedurën tek mekanizmi i saj zhbllokues.
Procedura parashikohet në nenin 35 pika 16 të ligjit që rregullon punën e këshillave ku parashikohet se në rast se parlamenti nuk miraton as listën e dytë, një e tretë përpilohet nga nënkomisioni parlamentar brenda dy ditësh.
Në këtë procedurë nuk përjashtohen automatikisht emrat e listës së dytë. Me të njëjtën procedurë si në raundin e pare dhe atë të dytë, pesë anëtarët e nënkomisionit do të votojnë listën e emrave të depozituar nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit një nga një, duke pasur mundësinë që me 4 vota të fusin në listë një emër të përjashtuar. Nisur nga hapësira kohore e përcaktuar në ligj, nënkomisioni brenda ditës së hënë do duhet të përpilojë listën, e cila I përcillet kreut të Kuvendit dhe votohet në seancë jo më vonë se 7 ditë nga krijimi i saj.
I vetmi ndryshim është se kjo listë e tretë, në rastin se nuk merr dy të tretat e votive në parlament, do të quhet e miratuar apriori, duke i dhënë Shqipërisë, anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë të Këshillave të Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit./abcnews.al