Pre e dhunës në Bilisht ka rënë edhe trajneri i portierëve të Turbinës, Bledar Malaj. Ish-portieri ndodhet në tribunën e stadiumit në takimin që Devolli e fitoi me rezultatin 2-1 kundër cërrikasve, ndërkohë që pati shumë tension.
Malaj, përmes një postimi në rrjetet sociale tregon se kush ishin shkaktarët e dhunës, ndërkohë që ka edhe një kërkesë që të mos shfaqen pamjet e asaj që ndodhi. Veçse është pjesë e Turbinës, ai është edhe mësues i edukimit fizik në një shkollë të kryeqytetit dhe ndihet keq për gjithçka ka ndodhur.
“Përshëndetje! Duke qene se isha një nga të dhunuarit në ditën e djeshme në ndeshjen (përleshjen) Devolli – Turbina, më duhet të sqaroj disa gjëra. Jemi dhunuar jo vetëm në fushe, por edhe në shkallët e stadiumit, kur na vjen keq që sponsorizuesit e kësaj dhune ishin dy zotëri me pozicion të lartë si kryetari Bashkisë dhe presidenti i klubit.
Ata nxiten dhunën e vartësve të tyre ndaj nesh, në vend të na respektonin si miq. Në Cërrik janë respektuar, por se bënë të njëjtën gjë atje. Dhunë si në 1997 kisha kohe pa parë në futbollin shqiptar. Më vjen keq për lojtarët tanë që ishin në një presion të vazhdueshëm dhe çuditem se si zyrtarët e federatës vazhduan ndeshjen.
Nuk dua te zgjatem më tepër dhe dua t’i bej thirrje mediave të heqin ato pamje filmike se personalisht jam dhe profesor i edukimit fizik në një shkollë të Tiranës dhe nuk është ky shembulli që duhet t’i japim brezave të rinj. Më vjen zor të dal nesër përpara nxënësve të mi, edhe pse isha viktima në atë mes. Kështu nuk ecet përpara”, shkruan Malaj në llogarinë e tij në “Facebook”. /abcnews.al