Rodrygo la Santosin në korrik dhe u transferua te Real Madrid për shumën e 40 milion eurove. 19-vjeçari ofensiv ka bindur trajneri Zidane me kualitetin që zotëron dhe deri tani është aktivizuar në 17 ndeshje.
Sulmuesi i djathtë ia ka dalë të realizojë 6 gola mes kampionatit dhe Champions League, teksa debutoi me Brazilin në miqësoren e nëntorit kundër Argjentinës. Rodrygo ka dhënë një prononcim për ESPN, duke treguar emocionet e aktivizimit me Realin dhe kombëtaren, ndërsa zbulon edhe këshillat që merr nga Zidane.
REALI – “Kur ndodhem në dhomat e zhveshjes dhe shoh fanellën time. I them vetes: ‘Dreq, jam pjesë e Real Madrid‘. Gjithsesi, më duhet të qëndroj me këmbë në tokë”.
ZIDANE – “Ai është një person shumë i sjellshëm, bisedon shpesh me mua dhe më jep shumë këshilla. Më thërret në zyrën e tij dhe më tregon se çfarë nuk ka shkuar në aspektin tekniko-taktik. Mund të më japë një ndihmë të madhe ajo që ka bërë si lojtar”.
BRAZILI – “Debutimi me kombëtaren ka qenë realizimi i një ëndrre. Çdo fëmijë brazilian ëndërron të bëhet lojtar i kombëtares dhe të veshë fanellën e Brazilit. Lojërat Olimpike? Ia lë në dorë ta vendosë Brazili dhe Reali këtë gjë”. /abcnews.al