Disenjatori i arbitrave pranë Federatës Shqiptare te Futbollit, Sokol Jareci, zbuloi se sistemi VAR pritet të futet në Kategorinë Superiore në sezonin 2021-2022.
Instalimi i sistemit VAR (Video Assistant Referee) në Shqipëri është një çështje që ngjall mjaft interes në boten e sportit. Disenjatori i arbitrave, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Sokol Jareci, zbuloi për ABC NEWS se duke filluar nga sezoni 2021-2022 në Kategorinë Superiore pritet të përdoret sistemi VAR, sikurse në kampionatet më të mira në Europë.
“Kemi marrë konfirmimin për seminarin e parë që do të zhvillohet në Tiranë, në datën 26 shkurt. Do të vijë një specialist i FIFA-s për sistemin VAR. Ne mendojmë ta implementojmë në sezonin 2021/22. Fillimisht do të aplikohet në një ndeshje, pasi është e vështirë, ka kosto të jashtëzakonshme. Do të fillohet me një dhe pastaj do të shohim. Infrastruktura është gjithashtu pengesë. Janë disa komponentë që ndikojnë.
Fillimisht do të ketë disa financime nga UEFA dhe FIFA, pastaj ndoshta do t’i ngelet Ligës, Federatës. Kjo është një pjesë që mbetet të diskutohet nga instancat e tjera. Por duhet thënë që ka një kosto të jashtëzakonshme.
Gabimet arbitrare në javët e fundit të kampionatit kanë ndezur serish polemikat në futbollin shqiptar. Sipas Jarecit, vendimet e gabuara nuk kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjes.
“Absolutisht arbitrat nuk ndikojnë në rezultat. Pa diskutim që jam i bindur për këtë. Merrini të gjithë ekipet e Superiores, të dhjeta, të gjitha janë penalizuar nga arbitrat me të padrejtë, përveç dy ekipeve ku peshorja ka anuar pak më shumë, si Bylisi dhe Luftëtari”, u shpreh Jareci në emisionin “Pressing”, të moderuar nga Gerti Çarçani dhe Einxhel Shkira. /abcnews.al