Borrell në Prishtinë: S’ka datë për heqjen e vizave, nuk jam në garë për dialogun

schedule17:43 - 30 Janar, 2020

schedule 17:43 - 30 Janar, 2020

Ishte kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, kryediplomati i BE-së, spanjolli  Josep Borrelli këtë të enjte ka vizituar Kosovën për të qartësuar pozicionin e Bashkimit Evropian në kuadër të dialogut Kosovë Serbi.

Borrell në fjalën e tij me zyrtarët e Kosovës është shprehur se bashkë me amerikanët do të punojnë për të mundësuar arritjen e marrëveshjes finale Prishtinë- Beograd.

“Amerikanët kanë shumë plane, për çdo gjë. Është një çështje që të kesh plan dhe një tjetër që të angazhohesh që të kesh sukses. Ne kemi qenë të angazhuar dhe kemi shpenzuar 1 miliardë në Kosovë. Por unë nuk po bëj garë me amerikanët. Ne do të punojmë bashkërisht dhe nuk do të ketë diferenca mes nesh që t’i zgjidhin problemet. Nuk jemi këtu që t’i hedhim fajin njëri tjetrit. Nuk jemi larg procesit por brenda në proces”, ka thënë Borrell.

Ndërsa në lidhje me pyetjen se 5 vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, ai tha se nuk është detyre e tij që ti bind ato për ta njohur Kosovën.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se uniteti i Bashkimit Evropian dhe koordinimi i ngushtë me SHBA-në është çelësi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi.

“E para që duhet të jetë jetike është ajo që BE të jetë unik në raportin me dialogun Kosovë Serbi.  Angazhimet e zotit Borrell të jenë të mbështetura nga të gjithë shtetet reale që të kete sukses. Që të ndodhë suksesi real duhet të ndodhë koordinimi i plotë mes BE-së dhe SHBA-së”, është shprehur Thaçi.

Thaci ka kritikuar ashpër BE-në duke thënë se ka bërë gabim strategjik me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Derisa Borrelli tha se nuk mund të premtoj se kur do të ndodh ajo pasi që varet kryekëput nga shtetet anëtare të BE-së.

Ndërsa ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re të Kosovës.

Ai ka takuar edhe përfaqësuesit e partive politike. Por AAK-ja përfaqësohej nga Besnik Tahiri ndërsa PDK-ja ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim.

“Takimi sot është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së qeverisë dhe institucioneve te reja dhe çfaredolloj iniciative për  nisjen e dialogut me Serbinë është i pakuptimtë, për sa kohë Kosova është peng i inateve dhe paaftësive për të gjetur zgjidhje politike midis dy forca politike”, ka thenë kryetari i PDK-së Veseli.

Boreli në kuadër të vizitës së tij në Kosovë po qëndron edhe në Obiliq dhe Prizren. Ai nesër pritet të vizitojë Beogradin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!