Tërbuni i shpëton turpërimit të mëtejshëm, gjen edhe portier të dytë

schedule21:51 - 29 Janar, 2020

schedule 21:51 - 29 Janar, 2020

Tërbuni u vu në siklet në ndeshjen me Kastriotin, pasi portieri Mateo Baçi u dëmtua dhe më pas pukjanët u detyruan të luajnë me një lojtar në mbrojtje të katërkëndëshit, pasi nuk kishin portier të dytë.

Tashmë ai problem është zgjidhur, pasi ditën e sotme është njoftuar që pjesë e Tërbunit në vazhdim do të jetë portieri Klosaid Avrami, i larguar para pak kohësh nga Devolli. Me skuadrën nga Bilishti ai ka luajtur vetëm një ndeshje dhe tani 21-vjeçari do të japë kontributin e tij për pukjanët.

“Portieri Klosaid Avrami, duke vazhduar nga sot, është futbollist i KF TËRBUNI, duke firmosur kontratë një vjeçare me ekipin tonë! Tifozët PUKJANË dhe Ultras ‘Shqiponjat e Veriut’ i urojnë fat dhe suksese, duke shpresuar që do të ndihmojë ekipin tonë në realizimin e objektivave dhe duke dhënë më të mirën për fanellën tonë! Mirë se vjen në shtëpinë dhe familjen e madhe”, shkruhet në njoftimin e klubit pukjan.

LËVIZJET E TJERA – Klubi i Tërbunit ka njoftuar edhe dy lëvizje të tjera. Njëra është në dalje dhe bëhet fjalë për mbylljen e bashkëpunimit me sulmuesin Redi Veriu, i marrë në verë nga moshat e ekipit të Tiranës. Pritej shumë prej tij, por në 7 ndeshje nuk ia doli të shënonte dot.

Për t’iu rikthyer afrimeve, Kleo Fejzaj do të veshë fanellën e Tërbunit në vazhdim. Mesfushori është larguar nga Turbina dhe tanimë do të japë kontributin e tij për pukjanët. Më parë ai ka qenë pjesë e Bylisit, Korabit, Elbasanit dhe Kastriotit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!