Kreu i Rilindjes Demokratike Kombëtare, RDK-së në Maqedoninë e Veriut, Vesel Memedi, thotë se partia shqiptare Alternativa po bëhet gati të hyjë në koalicion me LSDM-në e Zoran Zaev, duke krijuar kështu precedentin historik të koalicionit parazgjedhor të një partie shqiptare me një parti maqedonase.
Asnjëra nga dy partitë nuk e ka konfirmuar ende një koalicion të tillë.
“Është e saktë që mund të ndodhë, mirëpo ajo parti është një parti minore, është një parti politike, që është ndërtuar mbi gërmadhat e së kaluarës, mbi gërmadhat e shumë partive politike dhe mbi gërmadhat e shumë organizatave të ndryshme humanitare dhe fetare.
Ajo e ka pasur dikur emrin Lëvizja Besa, ndërsa sot me ndarjen e kësaj partie politike, në Lëvizja Besa dhe Alternativa, tani jo vetëm që janë përcarë në gjysëm, por në të njëjtën kohë, nuk munden me një të kaluar të kësaj natyre, të bëjnë një dëm shumë të madh për vijën kombëtare dhe jam thellësisht i bindur që forcat kombëtare dhe forcat progressive në Maqedoninë e Veriut do të ngadhnjejnë sic kanë ngadhnjyer deri tani në këto 30 vitet e tranzicionit në Maqedoninë veriore, dhe ashtu do të jetë edhe në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.”, u shpreh Memedi në një intervistë për gazetaren e Abc Neës, Linda Karadaku
Memedi thekson se bëhet fjalë për Alternativën dhe shton se nëse bëhet koalicioni midis Alternativës dhe LSDM, kjo parti do të mbajë mbi supe përgjegjësinë e pasojave të asaj që mund të ndodhë.
Shqetësimi më i madh në Maqedoninë e Veriut mbetet përcarja në bllokun shqiptar dhe thithja e mijëra votave të elektoratit shqiptar nga LSDM, partia e ish-kryeministrit Zoran Zaev.
Intervista e plotë e Vesel Memedit për Abc News, dhënë gazetares Linda Karadaku