Ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu thotë se është koha që të përmbyllet një cikël i traumave të mëdha të imponuara nga Serbia. Në intervistën për emisionin “Ballkan” në ABC News, të cilën do ta ndiqni të plotë sonte, Sejdiu komenton gjithashtu padinë e kryeministrit Rama ndaj kryeministrit Haradinaj, duke thënë se duhet të ketë një gjuhë të marrëveshjeve dhe se ashpërsia e gjuhës nuk sjell rezultat.
Ish-Presidenti I Kosovës Fatmir Sejdiu thotë se duhet investuar shumë që të përfundojë ajo që ka qenë më shumë se e tmerrshme gjatë më shumë se një shekulli në marrëdhëniet me Serbinë, për shkak të politikave serbe.
“Kemi arritur që të krijojmë një shtet të ri, që Kosova të pavarësohet, të ecë në këmbët e veta, dhe të ketë miq shumë, prandaj mendoj se është koha që të përmbyllet ky cikël I traumave të mëdha që kanë qenë gjithmonë të imponuara nga grabitësit e territoreve në të cilat kanë qenë edhe stërgjyshërit tanë, por është një kohë kur mendojmë se edhe Kosova, edhe Shqipëria, janë faktorë të rëndësishëm, të dy bashkë, por edhe me të tjerët në fqinjësi të mirë, dhe faktorë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin.”
Zoti Sejdiu komenton gjithashtu padinë e kryeministrit Rama ndaj kryeministrit Haradinaj, duke thënë se duhet të ketë një gjuhë të marrëveshjeve, të të marrurit vesh. Ai thekson se ashpërsia e gjuhës nuk sjell rezultat. Sejdiu nënvizon se Shqipëria dhe Kosova kanë mundësinë ta ndihmojnë njëra-tjetrën dhe të ecin drejt integrimeve të rëndësishme shpirtërore përtej ndarjeve të mëdha të përtej një shekulli./abcnews.al