Ndodh që të festosh ditëlindjen dhe një ditë më pas të shkarkohesh nga detyra. Futbolli është i paparashikueshëm dhe diçka e tillë i ka ndodhur trajnerit të Fortuna Dusseldorf. Friedhelm Funkel nuk do të ulet më në pankinën e ekipit gjerman.
Fortuna, ekipi ku është transferuar Valon Berisha gjatë ditës së sotme, renditet në vend të fundit në Bundesligë dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur të shkarkojnë 66-vjeçarin. Gara për mbijetesën do të jetë e ashpër deri në fund.
Funkel mbante këtë post prej marsit të vitit 2016 dhe ia doli të ngjisë Fortunën në Bundesligë e ta mbajë në elitë edhe për këtë sezon. Sivjet gjërat nuk kanë shkuar në mënyrën e duhur, ekipi gjerman është sulmi më i dobët dhe mbrojtja e tretë më e keqe në kampionat. /abcnews.al