Monika Kryemadhi njësoj si Lulzim Basha është e bindur që ulja e palëve në një tryezë konsensuale për reformën zgjedhore ishte një fitore për opozitën. Në një takim me strukturat e LSI-së në Korçë, Kryemadhi foli me bindje se reforma do të pasohet nga zgjedhjet e parakoshhme.
“Opozita e Bashkuar e detyroi Rilindjen e Rames te pranojë zgjidhjen tonë për reformën zgjedhore”, u shpreh ajo.
Kur opozita e ka përmbushur të vetmen kërkesë nga Bundestagu, Kryemadhi thirrjen e ka për qeverinë të cilës i kërkon që të dorëzojë para drejtësisë vjëdhësit e votave.
“Pas dakordësimit për reformën i duhet kësaj qeverie që te mos mbaj peng të ardhmen e vendit. Duhet të zbatoje 8 kushtet e tjera të Bundestagut, mes tyre vënia në pranga të të korruptuarve”, vijoi kryetarja e LSI.
E bindur se vendi do të ketë një proces të afërt zgjedhor, thirrjen e ka për një bashkim kombëtar përballë Edi Ramës. Partitë opozitare krahas angazhimit të tyre në tryezën e reformës zgjedhore dhe Këshillin Politik i kanë bërë thirrje strukturave të bëhen gati për zgjedhje. /abcnews.al