Përfundon pa vendim senca e vlerësimit të masës së sigurisë për 31 personat e arrestuar për dëmtimet e ndërtesave nga tërmeti në disa zona të kryeqytetit. Pas një seance që ka zgjatur rreth 7 orë, gjykata penale ka shqyrtuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur që ditën e nesërme në orën 10.00 të shpallë vendimin për secilin prej të akuzuarve. Organi i akuzës mësohet se ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 13 persona, ndërsa për pjesën tjetër të të arrestuarve ka kërkuar masën “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje”.
Mes të arrestuarve janë edhe ish zyrtarë vendorë, si ish-kreu i Komunës Farke, Fatbardh Plaku, ish-kreu i Komunës së Kasharit, Besnik Fuçia dhe Luan Beta, ish-shef i urbanistikës në Bashkinë e Vorës. Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për dy ish-kryekomunarët. Seancat për masat e sigurisë janë zhvilluar të ndara. Për 15 të arrestuarit që kanë zhvilluar seancën në grupin e parë, prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” dhe vetëm një “arrest shtëpie”.
Mes të arrestuarve janë edhe 6 femra, ndërsa në pranga kanë rënë edhe ndërtues si dhe ekspertë në fushën e urbanistikës. Prokuroria ka lëshuar 41 urdhër-ndalime për abuzimet e kryera me ndërtimet në Tiranë që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Mësohet se 6 nga personat e shpallur në kërkim janë larguar nga vendi para se të kryhej aksioni për arrestimin nga Policia e Tiranës. /abcnews.al


