Laçi vijon të përforcohet dhe ka zyrtarizuar goditjen e tretë në merkato pas mbrojtësit Irlian Ceka dhe anësorit ofensiv Bedri Greca. Klubi kurbinas ka prezantuar Uendi Vecajn, sulmuesin e djathtë shkodran.
22-vjeçari njihet mirë nga trajneri Armando Cungu, i cili e ka pasur nën urdhra për disa ndeshje te Vllaznia dhe më pas ai u transferua në Kroaci te Dinamo Zagreb II. Lojtari u rikthye në Superiore verën e vitit 2018 dhe nisi një aventurë me Teutën.
34 ndeshje zhvilloi Vecaj me ekipin durrsak dhe shënoi gjashtë gola, teksa tani është gati të nisë aventurën e radhës me bardhezinjtë. Shkodrani, së bashku me Grecën, brazilianin Teco dhe Xhixhën kompletojnë krahët e sulmit, ndërsa drejtuesit vazhdojnë punën për të tjera afrime. /abcnews.al