Kumbulla ka luajtur gjithmonë me më të mëdhenjtë, ja pse po shkëlqen”

schedule18:08 - 16 Janar, 2020

schedule 18:08 - 16 Janar, 2020

Massimo Pavanel është një nga ata trajnerë që e njeh më së miri Marash Kumbullën. Italiani e ka pasur nën urdhra 19-vjeçarin kur ishte pjesë e moshave të Hellas Verona dhe në një intervistë të dhënë për “FirenzeViola.it”, ai tregon pikat e forta të djaloshit nga Malësia e Madhe.

“Pika e tij më e fortë është pjekuria, pavarësisht moshës. Është një djalosh me mend në kokë dhe që ka mentalitet. Përqendrimi i tij është maksimal gjatë gjithë lojës dhe në seancat stërvitore. Në aspektin mendor është mbresëlënës”, shprehet fillimisht Pavanel.

“Kumbulla gjithmonë ka pasur një konstrukt të mirë fizik dhe kjo e bënte që të luante me të rinjtë edhe pse ishte më i vogël. Duhej vetëm të rregullonte ekuilibrin, për shkak të lartësisë. Tani ai problem i përket së shkuarës”, shton trajneri italian.

Marasha Kumbulla në ndeshjen kundër Napolit

Hellas Verona luan me tre në mbrojtje, por Marashi mund të paraqitet mirë edhe në një rreshtim me katër në prapavijë. Në lidhje më këtë, Pavanel shprehet: “Ai paraqitet mirë me të dyja modulet. Mendoj se tani mbrojtësit duhet të jenë të gjithanshëm. Nuk mund të flasim më për mbrojtës që luajnë me tre ose me katër. Tani Juric e ka zhvendosur në të majtë dhe po paraqitet sërish shumë mirë. Me të vërtetë duket si një veteran”.

E ARDHMJA – “Fiorentina ekipi i duhur? Nuk e di këtë, por është një lojtar i fortë që jo më kot lidhet me klube të mëdha. Duke qenë viti i parë në Serie A, duhet të konsolidohet dhe të konfirmohet. Nuk ka pse nxitohet. Ai ka një të ardhme të ndritur përpara, është i njëjti djalë si dikur”.

“Nuk e njoh personalisht trajnerin Iachini, por jam i sigurt që do të dashurohej pas tij. Kumbulla është një lojtar perfekt për çdo trajner, pasi ndjek me detaje çdo detyrë të dhënë nga trajneri. Unë do të thosha që duhet të qëndrojë te Verona dhe të konfirmohet. Viti i dytë është gjithmonë më i vështirë, pasi nuk është e lehtë të qëndrosh në të njëjtin nivel.

Nëse ia del të konfirmohet dhe konsolidohet edhe në sezonin e dytë, atëherë me siguri që do të bëhet një lojtar i madh. Marashi duhet të qëndrojë i qetë dhe të stërvitet, ai e ka talentin t’i kalojë këto situata”, ka përfunduar trajneri italian, Massimo Pavanel. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!