Rreziku nga bombolat e gazit, ISHTI: Çdo 5 vite duhet bërë kolaudimi i tyre

schedule15:58 - 15 Janar, 2020

schedule 15:58 - 15 Janar, 2020

Bombolat e gazit tashmë gjejnë përdorim në çdo familje apo biznes, si për gatim po ashtu dhe për ngrohje. Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial tregon se që të jemi sa më të sigurt, duhet që bombolat të kolaudohen çdo 5 vite.

“Bombula duhet të jetë e kolauduar, të gjitha bombulat që përdorin shqiptarët duhet të jenë të kontrolluara. Çdo bombul duhet të kolaudohet çdo pesë vjet”, sqaroi inspektori pranë ISHTI, Riza Dokaj.

Duke marrë shkas edhe nga incidentet e ndodhura nëpër biznese të ndryshme, siç janë dhe byrektoret, inspektori Dokaj shprehet se duhet bërë kujdes nga rrjedhja e gazit.

“Gjëja e parë që duhet të kenë kujdes është të shohin nëse ka rrjedhje. Në rastin e një byrektoreje të shohin mos ka erë apo rrjedhje dhe në rast se ka duhet të gjejë burimin ta mbyllë bombulën. Shpeshherë nëpër byrektore kemi vënë re se i ndezin me letra”, u shpreh ai.

Por cilat janë disa nga rregullat teknikë që duhen zbatuar gjatë përdorimit të një bombole gazi në shtëpi apo biznes?

“Ka një rregull teknik pë të përcaktuar saktë për volumin apo ambientin në të cilin vendoset bombula. Në një ambient të mbyllur që ka një volum 10 metër kub nuk lejohet të vendoset asnjë bombul. Në një ambient që është nga 10 deri në 20 metër kub lejohet të mbahet një bombul 15 kg, ndërsa nga 20 deri në 15 metër kub lejohet të mbahen dy bombula 30 kg”, theksoi Dokaj.

Gjatë së mërkurës nga rrjedhja e gazit të një bombole në një byrektore në zonën e Yzberishtit mbeten tre persona të lënduar./abcnews.al