Avokati Idajet Beqiri ka kritikuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke deklaruar se prej 35 vitesh nuk ka funksionuar në ndëshkimin e përgjegjësve për krimet e rënda.
Në një intervistë për “ABC News”, Beqiri akuzoi SPAK-un për mosveprim ndaj dosjeve të rëndësishme, duke u ndalur veçanërisht te çështja e familjes Haklaj. Ai pretendoi se Sali Berisha mban përgjegjësi për vrasjet e familjarëve të Zylfie Haklajt dhe kritikoi pezullimin e çështjes dhe kalimin e saj në Policinë e Shtetit.
“Pushteti i drejtësisë nuk ka funksionuar dhe është më i dobëti. Në vend që të bëhet shtyllë e fortë e një shteti ligjor e demokratik, në vend që të ndihmojë paqen në këtë vend, po bën të kundërtën. Në këto 35 vite, drejtësia nuk ka funksionuar. Në Shqipëri ka shumë të pandëshkuar dhe më i pandëshkuari është ai që e ka sjellë Shqipërinë në këtë gjendje sot. Shumë familje qëndrojnë ende të veshura me të zeza. Ata që ua hodhën këtë vello të zezë Shqipërisë, nuk janë ndëshkuar.
SPAK, për fat të keq, këto dosje që kanë sjellë pasoja shumë të rënda, i ka lënë që t’i bjerë pluhur. Sepse ende janë në pushtetin e frikës së Sali Berishës, që kërcënojnë dhe shantazhojnë dhe u bëjnë bisht këtyre ngjarjeve. Çështjes që po i bëhet më shumë bisht është ajo e Haklajve. Zylfia ka katër vëllezër të vrarë. Makineria kriminale e Berishës i eliminoi këta katër djem, që nuk i gjen dot më Shqipëria djem të tillë. Berisha vrau edhe xhaxhain e Zylfies dhe dy kushërinj të saj. SPAK, në vend që të ngrinte akuzat për Berishën si organizues të këtyre krimeve, ata tashmë e kanë pezulluar çështjen dhe ia kanë kaluar policisë”, tha avokati Beqiri.


