Ashtu si çdo vit, Vlora është kryeqendra e festimeve për 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Pikërisht këtu, më 28 nëntor 1912, flamuri kuqezi u ngrit për herë të parë si simbol i një Shqipërie të lirë dhe të pavarur.
Qyteti që mbart historinë e themelimit të shtetit shqiptar është kthyer në një pikë takimi për qindra qytetarë, të ardhur nga trevat shqiptare dhe vende të ndryshme të botës, për të festuar së bashku ditën që shënoi një kthesë në historinë kombëtare.
28 Nëntori është një datë që bashkon shqiptarët kudo në botë. Është një ditë për të kujtuar historinë, njerëzit që kontribuuan në të dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë kombëtare.
Pavarësisht distancës, vendit ku jetojnë apo kufijve që i ndajnë, 28 Nëntori mbetet një pikë referimi e përbashkët, një ditë kur historia dhe ndjenja kombëtare i bëjnë shqiptarët të ndihen më pranë njëri-tjetrit.
Por përtej atmosferës festive, Vlora e përkujton këtë përvjetor edhe përmes historisë. Autoritetet vendore kanë organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe historike, ku një vend të veçantë zë ekspozita kushtuar qeverisë së parë shqiptare, të drejtuar nga Ismail Qemali.
Por në një ditë si kjo, një prej ndalesave më të rëndësishme për vizitorët mbetet Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. I krijuar në vitin 1936, ky është muzeu i parë shqiptar, i vendosur në godinën ku funksionoi qeveria e parë e shtetit të pavarur, pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912.
Objekte origjinale të kohës, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si edhe vepra arti, janë vetëm një pjesë e vogël nga shumëçka ofron ky muze.
Por nga dyert e këtij muzeu pati edhe një thirrje që, në fakt, buron nga zemra e çdo shqiptari. Liri për ish-luftëtarët e UÇK-së.
Nga ndërtesa ku u mblodh qeveria e parë shqiptare, për ABC News, Kasandra Pali.


