Me rastin e Ditës së Pavarësisë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë u mbajt një Meshë e Shenjtë dhe ceremonia tradicionale e Bekimit të Flamurit.
Duke vijuar traditën e krijuar nga Fan Noli, Mitropoliti i Korçës, Anastasi, drejtoi lutje të posaçme për mbrojtjen e shtetit, paqen dhe begatinë e kombit shqiptar.
“Paqe, shpëtim, përparim… Ruaje vendin. Mbroje shtetin tonë nga çdo rrezik.”, tha ai.
Në këtë shërbesë solemne morën pjesë klerikë të Mitropolisë, besimtarë të shumtë korçarë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Mesha e Flamurit në Korçë u mbajt për herë të parë në vitin 1923 nga Fan Noli, në Kishën e Shën Gjergjit, duke u kthyer që atëherë në një rit të përvitshëm për qytetin.


