Një gjykatë në Kenia ka shpallur fajtor Paul Mackenzie, drejtuesin e një kulti të krishterë, për vdekjen nga pakujdesia të 123 ndjekësve të tij, të cilët i kishte bindur të agjëronin deri në vdekje.
Mackenzie u shpall fajtor në qytetin bregdetar të Mombasës, pasi kishte urdhëruar ndjekësit e tij të mos konsumonin ushqim, me pretendimin se përmes kësaj sakrifice do të takonin Jezusin. Ngjarjet kanë ndodhur në pyllin Shakahola, gjatë periudhës janar 2021 – shtator 2023.
Ky nuk është vendimi i parë kundër tij. Në fillim të këtij muaji, Mackenzie u dënua me 200 vite burg për vrasjen e 191 personave, mes tyre 190 fëmijë.
Ai i ka mohuar akuzat për vdekjen e 123 ndjekësve, ndërsa avokati i tij ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin. Në të njëjtën çështje, gjykata shpalli fajtorë edhe 29 persona të tjerë, mes tyre bashkëshorten e Mackenzie-t, Rhoda Mumbua Maweu. Ndërkohë, 60 të pandehur u shpallën të pafajshëm, por Prokuroria ka paralajmëruar se do të apelojë këtë vendim.
Mackenzie u arrestua në vitin 2023, pasi autoritetet zbuluan më shumë se 400 trupa të varrosur në varre të cekëta në pyllin Shakahola.
Sipas prokurorisë, ai kishte bindur ndjekësit e tij se duhej të agjëronin deri në vdekje për të fituar mundësinë të takonin Jezusin. Madje, sipas planit të tij, fëmijët duhej të vdisnin të parët, më pas gratë dhe në fund burrat, ndërsa vetë ai ishte parashikuar të ishte i fundit që do të vdiste.
Gjatë gjyqit, dëshmitarët treguan se Mackenzie u thoshte ndjekësve se arsimi, mjekësia dhe stolitë ishin mëkate. Ata që kundërshtonin mësimet e tij, sipas vendimit të gjykatës, dhunoheshin deri në vdekje.
Nga ana tjetër, të pandehurit pretenduan se viktimat kishin vendosur të agjëronin me dëshirën e tyre.
Tragjedia e Shakaholës tronditi Kenian dhe ngriti pikëpyetje serioze mbi mungesën e kontrollit ndaj grupeve fetare që veprojnë jashtë ligjit. Rasti nxori në pah se si një aktivitet i tillë mund të vazhdonte për vite me radhë pa u ndaluar nga autoritetet.
Pas zbulimit të ngjarjes, presidenti i Kenias, William Ruto, kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur rrethanat e tragjedisë, por ky komision u shpall më vonë antikushtetues.


