Agjencia Franceze e Lajmeve është bërë objektiv i një sulmi kibernetik, duke detyruar drejtuesit e saj të pezullojnë funksionimin e platformës AFP Forum, përmes së cilës abonentët aksesojnë dhe shkarkojnë materialet gazetareske të agjencisë.
Sipas një emaili të brendshëm të dërguar nga drejtuesit e Agjencise Franceze te Lajmeve , sulmi raportohet se ka nisur qe prej te merkures, rreth orës 01:30 të mëngjesit, sipas orës lokale të Parisit. Objektiv ishte platforma që klientët e agjencisë përdorin për të kërkuar dhe shkarkuar përmbajtje informative.
Në mesazhin e tyre, drejtuesit e AFP-së bëjnë të ditur se ekipet teknike u vunë menjëherë në lëvizje për të kufizuar sulmin, sapo u zbulua ndërhyrja. Për arsye parandaluese, ata vendosën të nxjerrin jashtë funksionit platformën AFP Forum, e cila do të mbetet e paarritshme deri në një njoftim të dytë. Ndërkohë, agjencia me seli në Paris po u ofron abonentëve alternativa për të aksesuar materialet e saj gjatë kohës që platforma mbetet jashtë funksionit.
Drejtuesit e AFP-së konfirmuan se për ngjarjen ka nisur një hetim, në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm të sigurisë kibernetike. Megjithatë, deri më tani nuk ka informacion se kush qëndron pas sulmit.
Sulmi ndaj Agjencisë Franceze të Lajmeve vjen në një kohë kur Franca dhe vende të tjera evropiane po përballen me një valë sulmesh kibernetike ndaj kompanive private dhe institucioneve publike. Kreu i Agjencisë Franceze të Sigurisë Kibernetike ka paralajmëruar se vendi po përballet me një nivel të paprecedentë kërcënimesh kibernetike.
Disa prej këtyre sulmeve u atribuohen organizatave kriminale që synojnë përfitime financiare, ndërsa të tjera kanë si qëllim krijimin e paqëndrueshmërisë dhe ndërprerjen e funksionimit të institucioneve dhe shërbimeve./abcnews.al


