Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të vijojë punën për përmbushjen e të gjitha detyrimeve në procesin e integrimit evropian, pavarësisht sfidave dhe zhvillimeve të paparashikueshme ndërkombëtare.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Rama theksoi se dera e BE-së është e hapur për Shqipërinë, por vendi duhet të përmbushë detyrat për të kapërcyer pragun e anëtarësimit.
Duke iu referuar tërmetit, pandemisë dhe luftërave që kanë ndikuar në ekonominë globale, kryeministri tha se këto ngjarje kanë detyruar qeverinë të rishikojë vazhdimisht planet dhe prioritetet.
Ai solli në vëmendje edhe shprehjen e trajnerit legjendar të ekipit kombëtar, Loro Boriçi, për të nënvizuar se pavarësisht rrethanave të jashtme, detyrat duhet të vijojnë.
“Si mund të jetohet duke pasur druajtje nga gjërat që nuk i kontrollon dot? Fati e ka sjellë që unë të kem të bëj në këtë detyrë me gjëra shumë të rënda, që nuk i kam pasur dhe që askush nuk i ka në dorë. Bie tërmeti dhe duhet të rikonceptosh gjithçka që ke planifikuar. Vjen pandemia dhe duhet të rimendosh gjithçka, sepse përballesh me diçka që nuk e parashikoje dot. Plas një luftë larg nga këtu, vjen rritja e çmimit të energjisë dhe edhe këtu duhet të rikonceptosh çfarë ke planifikuar. Edhe një kryeministër i famshëm i Britanisë së Madhe, kur e pyetën se nga çfarë kishte frikë, u përgjigj: Nga ngjarjet. Sepse vetëm ngjarjet nuk i planifikojmë dot. Meqë u bëra më gjatë se ai në detyrë, nuk mendoj fare për këtë… Unë vazhdoj me sloganin e trajnerit legjendar të ekipit kombëtar të Shqipërisë, Loro Boriçit, i cili, kur shkoi në Kinë, kinezët ikën me vrap nga fusha. Ai tha: Shiu ka punën e vet dhe ne kemi punën tonë. Pra, ne do të bëjmë detyrat një për një dhe do t’i bëjmë edhe më mirë. Më pas, shi apo diell, këtë nuk e kemi ne në dorë. Por dera e BE-së është e hapur dhe kushti është që të kapërcejmë pragun. Duhet të nxitojmë të bëjmë detyrat, sepse ajo derë mund të mbyllet, jo për arsyet tona, por për arsye të tjera. 2030 është viti që duhet të kemi në mendje sa herë merremi me politikë. 2030 në BE, të tjerat vijnë pas saj”, tha Rama.
/abcnews.al/


