Kombëtarja e Shqipërisë U21 ka njohur rivalët e saj në finalet e “Euro 2027”, që do të zhvillohet në vendin tonë dhe në Serbi verën e ardhshme.
Si një prej organizatoreve të turneut, skuadra e drejtuar nga Alban Bushi u përcaktua si kokë e grupit B.
Më pas goglat e dala nga shorti i hedhur në Beograd i caktuan si kundërshtarë dy prej favoritëve të mëdhenj si Spanja dhe Italia. Rival tjetër për kuqezinjtë do të jetë edhe Finlanda.
Një grup ferri, ashtu siç pritej, pasi në finalet e Kampionatit Europian luajnë skuadrat më të forta U21 të kontinentit.
Kombëtarja shqiptare do të debutojë në “Air Albania” me ndeshjen e parë më 16 qershor të vitit të ardhshëm kundër Spanjës, me të cilën një javë më parë u përball në një miqësore, duke barazuar pa gola. Po ashtu, ndërsa të gjitha sfidat do t’i luajë në shtëpi.
Shorti I hedhur në Beograd përcaktoi edhe tre grupet e tjera të finaleve të Kampionatit Europian U21.
Serbia si bashkëorganizatore do të luajë në Grupin A me Poloninë, kampionët në fuqi të Anglisë dhe Francën.
Në Grupin C do të përballen Çekia, Portugalia Greqia dhe Kroacia, ndërsa në Grupin D, Norvegjia, Belgjika, Gjermania dhe Holanda.
Finalet e “Euro 2027” për kombëtaret U21 do të nisin më 16 qershor dhe do të mbyllen me finalen e madhe në “Air Albania” më 3 korrik.
Ndeshjet do të luhen në shtatë qytetet dhe tetë stadiume, pesë prej të cilëve në Shqipëri, ku përveç “Air Albania”, impiantet që do të presin ndeshjet janë “Arena e Demave” po në kryeqytet, “Elbasan Arena”, “Egnatia Arena” dhe “Loro Boriçi” në Shkodër.



