Analisti Artur Nura ka komentuar reagimin e diasporës ndaj protestave në Shqipëri, duke u shprehur se indinjata e saj lidhet veçanërisht me pamjet e dhunës ndaj protestuesve.
Sipas Nurës, diaspora sheh vetëm sekuenca të caktuara filmike, të cilat, sipas tij, janë pjesë e një spoti të përgatitur me shumë kujdes.
Duke iu referuar protestës së parë pas ngjarjes në Zvërnec, ku një protestues u përball me dhunën e punonjësve të policisë private, Nura pretendoi se pati një pompim artificial të pamjeve, që ndikoi në nxjerrjen e njerëzve në rrugë.
“Diaspora është më e indinjuar që goditen njerëz në protesta, shohin vetëm sekuenca të një spoti të bërë me shumë kujdes. Protesta e parë që u bë pas Zvërnecit, pas dhunës së policëve privatë ndaj protestuesit, aty pati pompim artificial që i nxori njerëzit në rrugë.
Aty në atë video ka pasur financim që kjo video të shihet sa më shumë, e më pas është algoritmi. Algoritmi është mekanizëm politik.”



