Ish-ambasadori Roland Bimo ka komentuar zhvillimet politike në Serbi dhe marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian, duke theksuar se shoqëria serbe nuk duket e orientuar drejt integrimit europian. I ftuar në emisionin “Real Story”, Bimo u shpreh se Serbia ka ndjekur gjatë viteve të fundit një politikë balancuese mes Kinës, Rusisë dhe BE-së, pa u përafruar me qëndrimet europiane, veçanërisht në çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të ndjekë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, pa u kushtëzuar nga qëndrimet e Serbisë, pasi të dyja vendet kanë interesa të ndryshme. Ndërkohë, Bimo ngriti shqetësimin edhe për vetë procesin e integrimit europian, duke vënë në pikëpyetje vlerat dhe standardet e Bashkimit Europian në të cilin synon të anëtarësohet Shqipëria. Sipas tij, integrimi rrezikon të trajtohet gjithnjë e më shumë si objektiv elektoral dhe jo si një interes strategjik e afatgjatë i vendit.
“Kam përshtypjen se ajo që ndodh në Serbi është në një masë të konsiderueshme refleks i shoqërisë serbe. Serbët nuk duan që të integrohen në BE. Ka qenë udhëheqja serbe e cila ka tentuar që gjatë këtyre 10 viteve të mbajnë një qëndrim të balancuar mes Kinës, Rusisë dhe Bashkimit Europian. Por, po ta shikojmë Serbia nuk është bashkuar kurrë me sanksionet, nuk bëhet fjalë për asnjë përqindje të njehsimit të politikave të tyre me të Bashkimit Europian.
Por për ne, Shqipërinë është shumë pozitive që ne të ndahemi një here e mirë nga Serbia, nëse do të ishte e mundur, në rrugëtimin tonë. Ne dhe serbët kemi interesa shumë të kundërta. Në këndvështrimin e ecurisë sonë, Serbia le të ndjekë rrugën e saj. Ne kemi humbur shumë kohë të vlefshme me atë që personifikonte Lajçak, që ishte politika e përpjekjeve maksimale, për të mos lejuar Serbinë që të ikte, por të ishte e kampit europian, por nuk e ndryshon dot.
Problemi që duhet të trajtohet me më shumë vëmendje është që po të shikojmë komponentja europiane, e cila i bëri shqiptarët të kishin parullën e duam Shqipërinë si gjithë Europa, ky komponent në këtë tretësirë është holluar shumë. Ajo që donim ne të shikonim në Shqipëri të sensitizuar, të ngritur ishte një shtet që funksionon në bazë të rregullave demokratike e shtetit ligjor. Ky komponent brenda BE-së është holluar shumë, duke patur parasysh etërit e BE.
Integrimi tani është një çështje kohe, jo më një çështje ndryshimesh, apo reformash. Problemi është se në çfarë Bashkimi Europian do futemi ne?! Lind pyetja mes interesave afatshkurtër dhe afatgjatë të një vendi dhe kam përshtypjen se integrimi në BE është kthyer në vend që të ishte pjesë e interesave afatgjatë të Shqipërisë, është kthyer në pjesë të interesave elektorale të Shqipërisë”, tha Bimo.



