Protesta e opozitës, PS e PD përplasen Kuvend

schedule17:36 - 25 Janar, 2018

schedule 17:36 - 25 Janar, 2018

Rendi i ditës në Parlamentin shqiptar, në foltore u reduktua në fjalime kryesisht politike të mazhorancës dhe opozitës, me publik të vetëm qytetarët shqiptarë.

Lulzim Basha: “Kështu katandistet parlamenti i një vendi, kur mazhoranca zgjidhet me votat e Durim Keçërve, e banditëv, e Shullazëve, e Habilajve, e Balilajve”.

Taulant Balla: “Shkoni të gjithë pas atij që e ka katandisur këtë parti në pronë personale e që kryetari i radhës së partisë është thjesht dhe vetëm drejtori i radhës së ndërtesës.”

Protesta ishte në thelb të fjalës së kreut të opozitës, i cili për numrin dy të socialistëve, prej 27 Janarit pret vetëm përfitimin personal.

Taulant Balla: “Protestuan për tre muaj me rradhë në çadër, që Lulzim Basha të merrte Avokaten e Popullit për të shpërblyer avokatin e pallatit të vjehrrit të vet. Ndoshta do të ndërtoni marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë që Xhaferri të marri lekët nga Ministria e Financave”.

Lulzim Basha: “Përgjegjësia e vetme e kësaj mazhorance të kapur në krim e të zhytur në drogë është të shtyjnë orët me tallje, ndërkohë që fryjnë pasuritë dhe pushtetin e tyre”.

Por për kryedemokratin Basha, arsyet për të protestuar janë ato të jetuara në katër vite qeverisje të rilindjes por edhe tatpjetës që po i drejtohet ekonomia e vendit e rrjedhimisht e çdo shqiptari.

Lulzim Basha: “Do doja shumë në këtë sallë të flisja për investime, porn ë Shqipëri investime nuk ka. Do të doja të flisja për politika punësimi, për punësimin tuaj të dashur qytetarë, por e vetmja industri që krijon vende pune sot në Shqipëri është industria e krimit. Shqipëria është në prag të falimentimit ekonomik. 13 mijë biznese mbyllën dyert vitin e kaluar. 50 në ditë. Nëse nuk e ndalim sot rrënimin, vendi do të falimentojë”.

Të mbartuara janë për Taulant Ballën problemet që nisën të marrin zgjidhje me ardhjen e tyre në pushtet.

Taulant Balla: “Po si mund të flasë Sali Berisha. 13 vite! 13 vite në këto 26 e ka qeverisur vendin Sali Berisha. Ky nuk paska asnjë faj për situatën në të cilën është sot Shqipëriae marrë peng 13 vite nga Sali Berisha? Po! Ne e kemi çliruar Shqipërinë në 2013 nga keqqeverisja. Dilni të dashur shqiptarë në protestë përkrah Lulit dhe Saliut, por mbani mend që këta janë një e keqe e madhe e këtij vendi. Shqipëria nuk e meriton të ketë një opozitë si kjo. Për ne jeni një e mirë. Për Shqipërinë jeni një e keqe”./abcnews.al