Shqipëria dhe Kosova festojnë 28 nëntorin.
Në mbrëmjen e organizuar nga ambasada shqiptare në Kosovë, u bashkuan figurat kryesore politike në vend, pritur nga ambasadori në ikje Petrit Malaj.
Në fjalën e tij kryeministri Kurti foli për marrëdhëniet vëllazërore me Republikën e Shqipërisë.
“Republika e Kosovës është më vete por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar. Prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë. Por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore.”
Ai u ndal tek marrëveshje dypalëshe. Sipas tij janë nënshkruar, zbatuar apo janë në proces zbatimi 190 marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës në fusha si arsimi, ekonomia, energjia, bujqësia apo shëndetësia.
Ambasadori shqiptarë në largim Petrit Malaj, kujtoi se 114 vite më parë në Vlorën e pavarësisë ishte e pranishme edhe Kosova, ndërsa tha se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Prishtinën në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
“Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe në aspiratën për integrim të plotë në institucionet euroatlantike.”
Ai tha se largohet nga detyra me ndjesinë se në Kosovë është ndier gjithnjë si në shtëpinë e tij.
Ndërsa presidentja e vendit zgjodhi të fliste për krerët e uçk.
“Kur krerët e saj po përballen me drejtësinë në Hagë, ne nuk heqim dorë nga e vërteta historike. Asnjë proces gjyqësor nuk mund të zbehë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo.”
Mbështetja e Shqipërisë për Kosovën në rrugën e saj euroatlantike është rikonfirmuar në mënyrë të vazhdueshme, edhe pse Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon pa statusin e vendit kandidat.



