Në fshatin Zagrad të Dibrës, mes maleve dhe një natyre që ofron bukuri të rrallë, por edhe sfida të shumta, Xhavit Feta ka ndërtuar gjithë jetën e tij. Që prej përfundimit të klasës së tetë, ai ia ka kushtuar vitet e tij bujqësisë dhe blegtorisë, duke i kthyer ato jo vetëm në profesion, por edhe në mënyrë jetese.
Edhe pse për disa vite provoi jetën në emigracion, malli për vendlindjen dhe lidhja me tokën e të parëve e kthyen sërish në Zagrad. Për Xhavitin, të punosh tokën tënde dhe të jetosh me djersën e ballit në vendin ku je rritur, ka më shumë vlerë sesa të ndërtosh një jetë në dhe të huaj.
I vendosur rreth 1.200 metra mbi nivelin e detit, Zagradi është një fshat tipik malor, ku bukuria e natyrës shoqërohet me kushte të vështira jetese. Verat janë të freskëta, ndërsa dimrat të ashpër, kur trashësia e dëborës mund të arrijë deri në 1.5 metra. Terreni i thyer dhe kushtet klimatike e bëjnë jetën veçanërisht sfiduese për banorët, e sidomos për ata që merren me bujqësi dhe blegtori.
Xhavit Feta na tregon për vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë, duke nisur nga kushtet e stanit, infrastruktura e amortizuar rrugore e deri te kostot gjithnjë e më të larta për mbajtjen e bagëtive.
Por aktiviteti i Xhavitit nuk kufizohet vetëm te blegtoria. Ai merret edhe me bujqësi, ku një vend të rëndësishëm zë kultivimi i patates. Në tokat e Zagradit, me punë dhe përkushtim, arrin të prodhojë deri në 10 tonë patate, duke shfrytëzuar tokën si një tjetër burim të ardhurash për familjen. Kështu, mes stanit dhe arave, dita e tij është e mbushur me punë që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.
Megjithatë, vështirësitë nuk ia kanë zbehur dëshirën për të vazhduar. Në fund të çdo dite, Xhaviti e sheh të ardhmen me optimizëm dhe shpreson që tufa e tij të vijë duke u shtuar. Por krahas punës dhe kujdesit të përditshëm, ai është i vetëdijshëm edhe për rreziqet që mund të kërcënojnë bagëtinë, nga sëmundjet e deri te dëmet që mund të shkaktohen nga kafshët e egra dhe kushtet atmosferike.
Pas jetës së blegtorit fshihet edhe historia e një fëmijërie të kaluar në një familje të madhe. Xhaviti është rritur mes 11 fëmijëve, në një kohë kur jeta në fshat kërkonte shumë punë dhe sakrifica. Me nostalgji kujton vitet e fëmijërisë, por edhe vështirësitë e asaj kohe, kur puna në kooperativë ishte pjesë e përditshmërisë dhe mundësitë për një jetë më të mirë ishin të pakta.
Zagradi ruan ende gjurmë të një arkitekture tradicionale, ku spikasin shtëpitë karakteristike të ndërtuara me gurë. Këto banesa, të ngritura me mjeshtërinë dhe përvojën e brezave, nuk janë vetëm pjesë e identitetit të fshatit, por edhe një zgjidhje e menduar për kushtet klimatike të zonës. Sipas Xhavitit, muret e trasha prej guri ndihmojnë në ruajtjen e freskisë gjatë verës dhe të ngrohtësisë në ditët e ftohta të dimrit.
Puna në stan dhe në ara nuk është i vetmi angazhim në familjen Feta. Krahas blegtorisë dhe bujqësisë, një rol të rëndësishëm në këtë përditshmëri ka edhe bashkëshortja e Xhavitit, e cila prej vitesh ndan me të përgjegjësitë dhe mundin e jetës në fshat. Bylmeti në stan nuk është i vetmi angazhim pwr tw, as tani në moshën 60 vjeçare, por, as kur erdhi nuse në familjen Feta.
Për Xhavitin, një nga dëshirat më të mëdha është që kjo traditë të mos ndërpritet me të. Ai shpreson që pasioni dhe përvoja e tij në blegtori t’i trashëgohen të birit, i cili dëshiron që një ditë të vijojë punën e të atit dhe të kujdeset për tufën. Për të, trashëgimia nuk është vetëm toka apo bagëtitë, por edhe dashuria për vendin dhe puna e ndershme.
Pavarësisht vështirësive, familja Feta nuk mendon të heqë dorë nga bujqësia dhe blegtoria. Për ta, kjo është më shumë se një traditë e trashëguar nga të parët. Është puna që u siguron të ardhurat dhe mënyra e jetesës në vendlindje. Në Zagrad, mes maleve, dimrave të ashpër dhe sfidave të përditshme, Xhavit Feta vazhdon t’i qëndrojë besnik tokës së tij, me shpresën se edhe brezat që vijnë do të ruajnë lidhjen me këtë vend.



