Pretendimet se droni që goditi një ditë më parë një anije ruse në brigjet e Libisë është nisur nga territori shqiptar janë mohuar kategorikisht nga Tirana zyrtare.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, e cilësoi incidentin e Bengazit si mjaft të rëndë, ndërsa theksoi se përshkallëzimi i luftës në Ukrainë përbën një shqetësim serioz për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Nufi i cilësoi absurde pretendimet lidhur me ndryshimin e kufijve dhe daljen e disa vendeve anëtare nga NATO, mes tyre edhe Shqipëria, duke nënvizuar se Aleanca është mbrojtëse dhe e angazhuar për garantimin e sigurisë së vendeve anëtare.
“Situata në luftën në Ukrainë ka precipituar, pasi stabiliteti në Ukrainë është i lidhur me stabilitetin në rajon. Është një situatë tejet shqetësuese, që nga dita në ditë ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Kërkesa e Federatës Ruse është të kthejë kufijtë, dhe një përpjekje zyrtare të Moskës që vendet anëtare të NATO-s të mos jenë më. Kanë bërë një përpjekje që edhe Moldavia dhe vendet baltike të dalin nga NATO.
Ne e konsiderojmë këtë si një pretendim absurd. Incidenti i Bengazit, që pamë, është një incident shumë i rëndë sa i takon flotës ruse. Ajo që ne mund të themi në mënyrë të prerë është që NATO është një aleancë mbrojtëse dhe, ashtu sikurse ne jemi të gatshëm jo vetëm të mbrojmë, por edhe të garantojmë sigurinë e vendeve të aleancës”, tha Nufi.



