Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Publikohet ditari i Papa Françeskut/ Zbulohen përjetimet e Bergolio: Kam parë djaj dhe portën e ferri

schedule15:54 - 24 Nëntor, 2026

schedule 15:54 - 24 Nëntor, 2026

Zbulime të pazakonta nga jeta shpirtërore e Papa Françeskut janë bërë publike përmes ditarit të tij personal, pjesë të të cilit janë përfshirë në një libër të ri me titull “The Private Diary of Pope Francis”.

Në shënimet e tij, Jorge Mario Bergoglio rrëfen se gjatë jetës është përballur tri herë me atë që e përshkruante si shfaqje fizike të djallit. Në një tjetër episod, ai pretendon se ka parë edhe hyrjen e ferrit.

Sipas ditarit, një nga përjetimet e para kishte ndodhur rreth 15 vite më parë, kur ai shërbente ende në Buenos Aires. Françesku përshkruante një figurë që kishte parë përmes dritares së makinës, duke veçuar sytë e saj, të cilët i ishin dukur njëkohësisht kërcënues dhe joshës.



Një tjetër episod kishte ndodhur në një kishë karmelitane, gjatë një meshe. Në shënimet e tij, ai kujtonte vështrimin e një figure që e kishte përshkruar si djallin. Përballja e tretë, sipas ditarit, kishte ndodhur në Romë, në vitin 2018, disa ditë pas kthimit nga vizita në Kili.

Gjatë një takimi me zyrtarë të Vatikanit, Françesku shkruante se kishte ndier dhe parë një prani që e identifikonte si djallin. Sipas rrëfimit të tij, kjo prani kishte folur me një zë triumfues, duke thënë: “Tani kam marrë gjithçka që doja”.

Një tjetër shënim, i datës 7 qershor 2018, përshkruan një përvojë që Papa Françesku e konsideronte edhe më të frikshme. Ai shkruante se një natë më parë kishte parë hyrjen e ferrit.

“Vështrova pak dhe u tmerrova”, shënonte ai, duke treguar se kishte marrë rruzaren për t’u lutur dhe për të gjetur qetësi shpirtërore.

Ky rrëfim është ndër pjesët më të pazakonta të ditarit, pasi hedh dritë mbi përjetime personale që deri më tani nuk ishin bërë publike.

Sipas kardinalit Víctor Manuel Fernández, këto përjetime lidhen edhe me periudhën e vështirë shpirtërore që Françesku kaloi gjatë viteve 2021 dhe 2022.

Kjo periudhë karakterizohej nga presioni i madh i drejtimit të Kishës Katolike, vështirësitë në marrjen e vendimeve dhe përballja me problemet e brendshme të institucionit.

Megjithatë, ditari nuk përqendrohet vetëm te përballjet e tij me atë që e konsideronte të keqen. Ai përmban gjithashtu reflektime të thella mbi karakterin, gabimet dhe dobësitë njerëzore.

Në shënimet personale, Françesku fliste hapur për ndjenjat e krenarisë, zilisë dhe përçmimit që kishte përjetuar gjatë jetës. Ai kujtonte gjithashtu rastet kur nuk kishte arritur të tregonte dhembshurinë e duhur ndaj njerëzve në nevojë.

Në një prej reflektimeve të tij, ai pranonte se kishte kuptuar dëmin që kishte shkaktuar gjatë jetës dhe nevojën e madhe që kishte për mëshirën e Zotit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!