Sporti ka qenë pjesë e jetës së Arvisa Aliaj që në moshën 11-vjeçare. Ajo që nisi si pasion për atletikën, u kthye në një rrugëtim rekordesh, medaljesh dhe sfidash që e shoqërojnë edhe sot. Në vitin 1996 iu bashkua grupit sportiv të hedhjes së shtizës, por një incident gjatë stërvitjes, kur u thyen shtizat, do t’i ndryshonte drejtimin karrierës. Trajneri e orientoi drejt hedhjes së çekiçit, një disiplinë në të cilën Arvisa do të zbulonte talentin e saj.
Që në moshën 15-16-vjeçare theu rekorde dhe fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Ballkanike në Greqi. Në vitin 2007 përfaqësoi për herë të fundit Shqipërinë në një aktivitet ndërkombëtar, në Tajlandë. Më pas provoi edhe një rrugë tjetër, atë të Policisë, por pas dy vitesh kuptoi se nuk ishte vendi ku e gjente veten.
Sot, ish-kampionia është trajnere personale, këshilluese për stilin e jetesës dhe mësuese e edukimit fizik. Misioni i saj nuk është thjesht të ndryshojë trupat, por të ndërtojë zakone të shëndetshme. Ajo beson se disiplina është më e fortë se motivimi dhe se një hap i vogël çdo ditë vlen më shumë se përpjekjet e mëdha që zgjasin vetëm pak.
Por Arvisa vjen edhe me një mesazh që mund të sfidojë bindjet tona për palestrën: pesha nuk të bën automatikisht muskuloz, djersa nuk djeg dhjamin dhe ushtrimet e barkut nuk eliminojnë dhjamin vetëm në atë zonë. Edhe kardio, makineritë, stërvitja e përditshme dhe ngritja e peshave nga gratë janë mes miteve që ajo kërkon të rrëzojë.
Në qendër të filozofisë së saj është edhe një përvojë personale: prej dy dekadash jeton me diagnozën Hashimoto. Për një kohë të gjatë mendonte se mungesa e rezultateve në stërvitje vinte nga gabimet e saj, derisa kuptoi rëndësinë e përshtatjes së aktivitetit fizik me nevojat e trupit. Sot këshillon kujdes me ngarkesat intensive, stërvitje të moderuar me pesha, ushqyerje të përshtatshme dhe rikuperim të mjaftueshëm.
Nga rekordet në atletikë te sfidat e palestrës, Arvisa Aliaj vjen për të folur për disiplinën, forcën, mitet e fitnesit dhe marrëdhënien mes trupit e mendjes. Sepse rezultati nuk vjen nga perfeksioni, por nga vazhdimësia./abcnews.al



