EKSKLUZIVE/ “Rrini ju, Qerimi e mbaroi shtëpinë…”: Dalin përgjimet e policëve të arrestuar për ndërtimet pa leje

schedule12:43 - 11 Janar, 2020

schedule 12:43 - 11 Janar, 2020

Janë të paktën 31 raste të konfirmuara si shkelje nga ana e prokurorisë, e cila kërkoi arrestimin e 11 efektivëve të policisë dy ditë më parë në Durrës.

Një nga rastet sidomos, ai i fshehjes së një përdhunimi është më i rëndi, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me lejimin e ndërtimeve pa leje edhe pse ato raportoheshin në “Komisariatin Digjital”.

Abc News ka siguruar ekskluzivisht dosjen e prokurorisë mbi këtë çështje në të cilën janë pasqyruar të gjitha shkeljet.

RASTI 1
Qytetarët e denoncojnë në Komisariatin Digjital, por polici thotë se nuk ka ndërtim pa leje

Shtetasi A. L (emër i njohur për redaksinë), në muajin Qershor të vitit 2019, ka kryer ndërtim pa leje në një objekt me konstruksion kolona dhe soletë betoni në fshatin Katund i Ri, Durrës.

Për këtë ndërtim, janë kryer veprime procedurale për konstatimin e tij, në muajin Korrik të vitit 2019. Në atë kohë objekti ishte në fazën e themeleve, ndërsa aktualisht ka përfunduar katin e 4 – katër.

EKSKLUZIVE/ Si u fsheh përdhunimi në Ishëm: Abc News siguron dosjen e arrestimit të policëve në Durrës

Për këtë ndërtim me datë 28.08.2019, ishte dërguar një raportim me numër 179261 në portalin “Komisariati Digjital” në të cilën ankuesi ka njoftuar për një ndërtim objekti katër katesh me adresë : – sapo kalon shkollën “Jusuf Hoti”, pa shku tek lokal “Alia“, në fshatin Katund i Ri.

Për këtë objekt është referuar dhe regjistruar me datë 17.07.2019 procedim penal.

Në kohën kur materialet janë referuar objekti ka qenë duke u ndërtuar në katin e parë të tij, ndërsa me datë 28.08.2019 punimet kishin avancuar në katin e 4- tërt, ku ishte betonuar soleta në formë të pjerrët (në formën e çatisë).

Për këtë ndërtim, rezulton se punonjësi i policisë Agim Osmani, është në dijeni të ndërtimit pa leje, pasi ka komunikime telefonike me shtetasin R.L (xhaxhai i A. L) ku e informon për raportimin në komisariatin Digjital, ku i thotë “që mos të mbajë punëtorët në objekt pasi ishte raportuar në portal”.

RASTI 2
Qerimi i e mbaroi shtëpinë…

Shtetasi Q. D (emër i njohur për redaksinë), me banim në fshatin Jubë, është raportuar dy herë në komisariatin Digjital, për ndërtim pa leje në katin e 2-të, të banesës së tij.

Ky objekt ndodhet në afërsi të qendrës së fshatit Jubë dhe punimet e tij konstatohen dhe në distancë nga rruga dhe nga vëzhgimi është konstatuar i ndërtuar kati i dytë i një ndërtese, e cila ishte e mbuluar me beton të hedhur në formë çatie.

Me datë 09.10.2019 në sallën operative të D.V.P. Durrës nga ana e “Komisariatit Digjital“ është dërguar një raportim, me nr.185878, në lidhje me një ndërtim në fshatin Jubë, Njësia Administrative Katund i Ri.

Punonjësi i policisë Agim Osmani, si SPZ i zonës është ngarkuar me verifikimin e raportimit. Pas verifikimit ai ka raportuar se në këtë fshat nuk kishte konstatuar ndërtim pa leje dhe këtë raportim ai j’a ka adresuar një objekt tjetër në ndërtim, që po bëhej nga shtetasi Gj.Z (emër i njohur për redaksinë), në fshatin Rrushkull, i cila ndodhet rreth 500 metër larg nga objekti i raportuar në portalin “Komisariati Digjital“.

Me datë 31.10.2019 nga ana e “Komisariatit Dixhital “ është dërguar dhe një raportim me nr. 188765, me tekst: “ne jube q… d… mbaroi pune ndrt shtëpine, e kemi raportuar dhe para tre jave , tek ura e hekrit”.

Në lidhje me këtë raportim punonjësi i policisë ka njoftuar se: nuk është konstatuar ndërtim pa leje në adresën e dhënë.

Nga bisedat telefonike që ky punonjës policie kryen me kolegun e tij Dishir Dakoli dhe Q. D. rezulton se njihet me shtetasin Qerim Doka dhe e ka lejuar të ndërtojë pa leje, si dhe i porosit ata se si duhet të veprojnë në rast se kryhen verifikime nga ana e shërbimeve të policisë.

RASTI 3

Hiqe betonieren nga aty

Shtetasi Nikoll Marku me detyrë OPGJ, ka për detyrë të konstatojë dhe të kryej veprime procedurale për ngjarjet që ndodhin në Njësinë Administrative Sukth.

Shtetasi Gj.Z , me banim në fshatin Rrushkull ka një banesë 2- kate dhe ngjitur me banesën po ndërton pa leje një objekt 1 kat.

Objekti pa leje është ndërtuar në muajin Shtator të vitit 2019, e në vazhdim, ku për ndërtimin pa leje është raportuar në komisariatin digjital.

Në lidhje me këtë objekt ka kryer veprime procedurale por nga përgjimet telefonike, rezulton se nuk është dokumentuar ndërtimi i paligjshëm 1 kat, por janë kryer veprime për disa punime pa leje për kanalizim dhe tubacione, me qëllim për të shmangur ndjekjen penale të shtetasit Gj.Z.

Nga transkriptimi i bisedave telefonike të shtetasit Gj.Z rezulton se ky shtetas kontakton me një person tjetër, i cili e mëson se ç’farë veprimesh duhet të bëjë tek banesa e tij si dhe të heqë veglat e punës nga aty (një betoniere).

Gjithashtu nga biseda e zhvilluar shtetasi Gj.Z i tregon djalit të tij se si të flasë në lidhje me ndërtimin tek banesa e tij “..duke be tubacione se kanë qu një ekspert nga Durrësi me be veprimet thuj atij ashtu… jepi atij naj gje”.. ndërsa ai i thotë “..a të iki atje fare unë”, më pas Zefi i thotë “..hiq betonieren nga aty fute brenda dhe thuaj që jam duke bë tubacionet dhe kullimet se betonin e avllisë e kemi bë kur kemi be shpinë se jam këtu me Ganiun..”.

Nga transkriptimi i bisedave telefonike rezulton e kanë dijeni dhe punonjësit e policisë Gani Dama dhe Sami Xhafa.

Lista e të arrestuarëve

‘Arrest në burg’ për Komisar Besnik Domi me detyrë Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për Nënkomisar Sami Xhafa, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për Nënkomisar Ermand Petova, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për Nënkomisar Nikoll Marku,me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për Inspektor Agim Osmani me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
‘Arrest në burg’ për Inspektor Dishir Dakoli, me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për Inspektor Gani Dama, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, person i shpallur në kërkim;
– ‘Arrest në burg’ për Inspektor Haxhi Shera me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për Inspektor Petrit Neziri, me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për Inspektor Ndriçim Shika me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Gjergj Gerco me detyrë Sekretar i Njësisë Administrative Sukth, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Julian Kacadej me detyrë specialist në IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Marius Shahini, me detyrë Kryeinspektor i IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’;
– ‘Pezullim nga detyra’ për shtetasin Astrit Nuri me detyrë specialist i Armatimit në DVP Durrës, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.
– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Dritan Koçi posedues dhe zhvillues i objektit të ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;
– ‘Arrest në burg’ për shtetasit Paulin Meta posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;
– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Gjon Zefi posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;
– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Adem Lika posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimi pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’;
– ‘Arrest në burg’ për shtetasin Qerim Doka, posedues dhe zhvillues i objektit ndërtim pa leje, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’; /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!