TIRANË- Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka ngritur shqetësimin për aktivitetin e Iranit në Ballkan dhe rrezikun që, sipas tij, paraqet për sigurinë e Shqipërisë.
Softa u shpreh se Maqedonia e Veriut mund të shërbejë si bazë rekrutimi dhe logjistike për Iranin, duke theksuar se ky shtet mund të shfrytëzojë afërsinë gjeografike dhe grupet kriminale për të shtrirë ndikimin e tij në rajon.
Sipas ekspertit, Irani nuk synon më përplasje të drejtpërdrejta ushtarake me SHBA-në, por mbështetet te lufta asimetrike, terrorizmi dhe krijimi i destabilitetit në vende të ndryshme. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për një rrezik të mundshëm për muxhahedinët që ndodhen në Manzë të Durrësit, si dhe nga investime apo struktura që, sipas tij, mund të përdoren për qëllime destabilizuese.
“Maqedonia e Veriut është një bazë rekrutimesh nga Irani dhe është një bazë logjistike, një vend kaq afër, dhe kalimet kufitare apo tendat e Iranit për të investuar nëpërmjet grupeve kriminale, të ketë mundësi t’i përdorë atë.
Irani sot nuk është më një shtet që kërkon përplasje frontale ushtarake me SHBA, por do të shkojë në taktikën e tij, e ka luftën asimetrike, dhe atë çfarë ata kërkojnë është terrorizmi, investimi te terrorizmi dhe goditje e këtyre vendeve për të krijuar destabilitete.
Sigurisht që Ballkani mbetet fokus i tyre për shkak të dobësive dhe politikave të vendeve ballkanike, konflikteve nacionaliste, konflikteve politike. Kjo mbetet edhe një rrezik për Shqipërinë, sepse Irani nuk do të bëjë luftë me Shqipërinë, por Irani do të përdorë këtë lloj infrastrukture, do të përdorë grupet apo investimet e ndryshme që të krijojë destabilitet.
Destabilitet do të thotë se edhe ata që kemi në Manzë mund të jenë potencialisht një rrezik i mundshëm dhe, njëkohësisht, investimet që mund të kenë në forma të ndryshme. Ka agjentura, të cilat mund të jenë të fjetura dhe mund të aktivizohen në një moment të caktuar kur atyre u vlen. Investimet e Iranit ndër vite në Shqipëri kanë qenë në formë organizatash, të cilat kanë vepruar në territor”, tha ai.



