FBI ka publikuar një paralajmërim për sulme kibernetike që mund të prekin biznese dhe organizata në mbarë botën.
Sipas autoriteteve amerikane, kriminelët kibernetikë dhe hakerët e lidhur me shtete po përdorin inteligjencën artificiale për të depërtuar në rrjetet kompjuterike, duke arritur në disa raste të marrin akses me privilegje të larta në më pak se tri orë.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa në “Ora e njëmbëdhjetë”, në ABC News analizoi situatën, duke u ndalur te një sërë ndërprerjesh dhe problematikash të regjistruara ditët e fundit në Shtetet e Bashkuara, përfshirë sistemet bankare dhe transportin ajror.
Sipas Softës, këto zhvillime tregojnë rëndësinë e kërcënimeve kibernetike dhe nevojën për vëmendje ndaj rreziqeve që vijnë nga aktorë të ndryshëm shtetërorë.
Ai theksoi se alarmi i FBI-së synon gjithashtu informimin e popullsisë amerikane, ndërsa paralajmëroi për rrezikun që paraqesin kundërshtarët e SHBA-së, duke përmendur Rusinë, Kinën dhe Iranin.
“Është një periudhë prej datës 12 dhe deri ditën e sotme që kemi pasur disa ndërhyrje. Më pas kemi bllokimin e linjave të avionëve, kemi një ngrirje të sistemit bankar të tre bankave kryesore të SHBA…Edhe në këto momente kemi një shërbim të munguar apo një sistem mbrojtje të ngritur duke pasur pezullim të këtij shërbimi. Edhe më parë ka pasur raste kur ndërhyhej në parkime por jo vetëm. Aludimet ishin të ndryshme…Edhe alarmi nga FBI është dhënë si një test i informacionit dhe për të informuar popullsinë e SHBA. Rreziku i vërtetë është inkurajimi i kundërshtarëve të SHBA, si Rusia, në veçanti Kina, por edhe Irani që është në luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha kërcënimet që kanë ardhur se do të sulmojnë bazat e SHBA”, tha ai.



