Kryeministri Edi Rama ka prezantuar modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, duke e cilësuar atë si një hap të mëtejshëm drejt rritjes së transparencës, sigurisë dhe eficiencës në administratën publike. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ky model synon të reduktojë kostot ekonomike, të lehtësojë procedurat dhe të eliminojë burokracitë për institucionet dhe bizneset.
Kreu i qeverisë iu referua edhe të dhënave të raportit të SIGMA-s, sipas të cilit Shqipëria ka marrë vlerësimin 80 pikë nga 100 në fushën e prokurimit publik, si dhe kursimeve prej rreth 81 milionë eurosh nga mbi 2 200 procedura të zhvilluara. Rama nënvizoi se reforma synon të forcojë konkurrencën dhe të garantojë që fituesit e tenderave të përzgjidhen mbi bazën e meritës.
“Një tymnajë e madhe për indikatorin e tenderave pa garë, zhbëhet plotësisht po të shohësh se Shqipëria është më mirë se 21 vende të BE-së. Në raportin që SIGMA publikoi për fushën e prokurimit publik, Shqipëria ka një vlerësim 80 në 100, që është një vlerësim më i lartë se të gjitha vendet e rajonit. Kjo është për të thënë se çka nisim sot nuk është një kapitull i parë, por një vazhdim kapitulli. Shqipëria synon që ta ngrejë administratën publike në një nivel të ri, prokurimi publik të ketë administratën e tij. Krijimi i operatorit të blerjeve të përqendruara ka dëshmuar në nivelet më të larta synimin që ka ky specializim. Nga mbi 2200 të publikuara, janë kursyer rreth 81 milionë euro.
Megjithatë, ajo që ndajmë bashkë me drejtuesit tanë, ne e kuptojmë shumë mirë që kemi nevojë të çlirojmë peshën e procedurave dhe burokracive, pasi kemi hequr të gjitha prokurimet nga ministritë, përveç disa prokurimeve shumë të rëndësishme që janë për sigurinë kombëtare. Do të bëjmë çmos që ta nxisim pushtetin vendor që të shkojë drejt prokurimeve të përqendruara dhe me kosto shumë të ulët. Perceptimi për prokurimet publike dhe korrupsionin, ne jemi njësha për ta lyer veten me katran, kur faktikisht jemi të pastër dhe jo më pastaj kur ka edhe katran nëpër duar.
Në një vend të BE-së, ky perceptim është më i lartë. Është një perceptim që ushqehet fuqimisht në kohët e sotme, ku gëlojnë shpifjet, gjysmë të vërtetat, ku gënjeshtrat kthehen në fakte. Këto të dhëna nuk vijnë dhe nuk na shërbejnë për të relativizuar problemet tona, por na shërbejnë për të kuptuar që prokurimet publike janë një fushë shumë e ndjeshme sepse lidhen shumë interesa, interesat e biznesit. Shteti kur kërkon shërbime, është në një pozitë vulnerabël. Kur konkurrojnë shqiptarët, nuk humbet asnjëri. Unë nuk e kam takuar akoma një që të pranojë që tjetri ishte më i zoti dhe fitoi. Do të krijohet bindja që ka fitues me meritë. Procesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht.”/abcnews.al



