Ndeshja e fundit në Ligën e Kombeve është kthyer në një finale të vërtetë për Kosovën. “Dardanët” luajnë qëndrimin e tyre në Ligën B të turneut në transfertën e Dublinit kundër Irlandës.
Skuadra e Franco Foda mban vendin e dytë në Grupin B3 me 6 pikë, vetëm një më shumë se irlandezët.
Me një matematikë të thjeshtë, kombëtares së Kosovës I mjafton barazimi, por në futboll asgjë nuk është e sigurt. Dhe këtë e di shumë mirë trajneri Foda.
“Për ne është ndeshje e vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. Irlandës i duhet fitorja, ndërsa ne na bën punë edhe barazimi. Por në fushë ekipet hyjnë në fushë për fitore. Do të tentojmë nëpërmjet kundërsulmeve të fitojmë këtë ndeshje”, tha Franco Foda.
Foda nuk do të ketë në dispozicion për sfidën kundër Irlandës dy lojtarë të rëndësishëm si Veldin Hoxha dhe Edon Zhegrova. I pari është i pezulluar pas kartonit të kuq në ndeshjen e fundit kundër Izraelit, ndërsa sulmuesi u kthye te Juventus për shkak të një dëmtimi.
Gjithsesi, pas seancës së fundit stërvitore të zhvilluar në kryeqytetin irlandez, të gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm për përballjen e fundit në këtë edicion të Ligës së Kombeve.



