Ministri Enea Karakaçi ka dhënë detaje mbi ecurinë e projektit hekurudhor Tiranë-Durrës-Rinas, duke bërë të ditur se përfundimi i infrastrukturës hekurudhore Tiranë-Durrës parashikohet brenda vitit 2027.
I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Karakaçi u shpreh se projekti ka kaluar në disa faza, ndërsa aktualisht kanë mbetur për t’u përfunduar stacionet dhe komponenti i elektrifikimit.
Sipas ministrit, punimet për shinat kanë arritur në rreth 90%, ndërsa për stacionet është realizuar rreth 75% e volumit të punimeve. Tetë stacionet përgjatë linjës Tiranë-Durrës pritet të përfundojnë në tremujorin e parë ose në mesin e vitit 2027.
Sa i përket elektrifikimit, Karakaçi bëri të ditur se procedura konkurruese ka përfunduar dhe fituesi është shpallur në muajin prill, por kontrata pret miratimin përfundimtar nga financuesit, përmes procedurës së njohur si “no objection” nga BERZH.
Ministri theksoi se, pas nënshkrimit të kontratës, punimet për elektrifikimin do të zgjasin rreth 12 muaj.
“Unë mendoj që fundi i vitit 2027 do të na gjejë me një projekt infrastrukturor të përfunduar të Tiranë-Durrësit”, deklaroi Karakaçi, duke e cilësuar këtë si një vlerësim të arsyeshëm për përfundimin e projektit.
Gjatë intervistës, ministri foli edhe për dy projekte të tjera të rëndësishme hekurudhore: Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë.
Linja Vorë-Hani i Hotit ka një vlerë prej rreth 340 milionë eurosh, nga të cilat 153 milionë euro financohen me grant nga Bashkimi Europian. Sipas Karakaçit, për këtë projekt është shpallur fituesi dhe pritet miratimi nga BERZH, me synimin që kontrata të nënshkruhet deri në fund të vitit dhe punimet të nisin në fillim të vitit 2027.
Ndërsa projekti Durrës-Rrogozhinë ka një vlerë prej 120 milionë eurosh, ku 60 milionë euro financohen nga Bashkimi Europian. Procedura e prokurimit ndodhet në fazat përfundimtare dhe ministri parashikon që fituesi të shpallet brenda fundit të vitit.
Karakaçi nënvizoi se ndryshe nga projekti Tiranë-Durrës, këto dy linja janë konceptuar si projekte të plota, duke përfshirë stacionet dhe elektrifikimin, çka i bën ato të gatshme për nisjen e punimeve.
Sipas tij, investimet hekurudhore do të kenë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, veçanërisht linja Vorë-Hani i Hotit, e cila pritet të lehtësojë shkëmbimet tregtare dhe transportin e mallrave me Malin e Zi.
Pjesë nga intervista:
Në fakt, duhet ta theksoj se kjo është pyetja më legjitime: Kur do të dorëzohet segmenti Tiranë–Durrës, me stacionin në Rinas?
Por, sa herë që i përgjigjem kësaj pyetjeje, kam dëshirë të ndalem pak më gjatë për të shpjeguar se përse ndodh ajo që duket sikur është një vonesë në këtë projekt.
Normalisht, projektet hekurudhore janë projekte të shtrenjta dhe në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian financohen nga ky i fundit, pikërisht sepse sektori hekurudhor është një sektor që ka nevojë për subvencione.
Projekti Tiranë–Durrës ka nisur, le të themi, me marrëveshjen e parë të financimit rreth vitit 2016. Por dua të theksoj faktin se, kur u miratua marrëveshja e financimit në vitin 2016, bëhej fjalë për një projekt që, me vetëdije, ishte i paplotë. Pra, përfshinte vetëm shinat që lidhnin Tiranën me Durrësin dhe nuk kishte asnjë komponent tjetër.
Pse ndodhi kjo? Dua ta theksoj: kishim një grant nga Bashkimi Evropian, por ky i fundit e konsideronte shtetin shqiptar jo mjaftueshëm të maturuar për të financuar tërësisht projektin Tiranë–Durrës.
Patjetër, për ta plotësuar projektin nevojiteshin edhe disa faza të tjera. Një prej tyre ishte ndërtimi i stacioneve. Bëhet fjalë për tetë stacione nga Tirana në Durrës, për të cilat kontrata është lidhur dy vite më parë. Punimet kanë ecur mirë dhe këto stacione do ta bëjnë linjën Tiranë–Durrës më të aksesueshme për qytetarët.
Nëse projekti i shinave ka arritur në rreth 90% të punimeve të përfunduara – dhe unë mendoj se do të dorëzohet brenda këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm – punimet për stacionet kanë arritur në rreth 75% të volumit të përgjithshëm. Edhe ky komponent pritet të përfundojë në tremujorin e parë ose në mesin e vitit 2027.
Por çfarë mungon? Mungon komponenti i fundit, që është elektrifikimi i linjës Tiranë–Durrës. Elektrifikimi nënkupton që trenat do të lëvizin përmes rrjetit elektrik.
Kjo ishte kontrata e fundit që duhej të plotësohej dhe edhe ajo financohet me grant nga Bashkimi Evropian. Hekurudha Shqiptare ka zhvilluar procedurën konkurruese dhe fituesi është shpallur që në muajin prill të këtij viti. Por, duke qenë se marrëveshja financohet nga donatorë të huaj dhe mbështetet në një grant të Bashkimit Evropian, kërkohet edhe procedura përkatëse e miratimit. Pra, financuesit e huaj duhet të japin atë që në gjuhën teknike quhet “no objection”, ose pëlqimin për procedurën.
Dua të theksoj se, nëse pëlqimi nga ana e BERZH-it jepet sot, elektrifikimi përfundon brenda 12 muajve. Pra, ne do të kemi një hekurudhë Tiranë–Durrës me infrastrukturë të plotë 12 muaj pas nënshkrimit të kontratës për elektrifikimin.
Por më lejoni të zgjatem pak më tepër për hekurudhën, pasi mendoj se është e nevojshme të përmendim edhe zhvillimet e reja që po ndërmarrim.
Unë mendoj se fundi i vitit 2027 do të na gjejë me një projekt infrastrukturor të përfunduar të linjës Tiranë–Durrës. Siç e thashë, ka mbetur vetëm komponenti i fundit, që është elektrifikimi, dhe sipas kontratës ai realizohet brenda 12 muajve.
Kështu që mendoj se është një vlerësim i arsyeshëm të themi se projekti Tiranë–Durrës, nga pikëpamja infrastrukturore, do të përfundojë brenda vitit 2027.
Por, siç e thashë, Tiranë–Durrës ishte projekti i parë hekurudhor në të cilin investuam në këtë sektor. Pas gjithë këtyre fazave, ne kemi nxjerrë mësimet tona.
Po marr si shembull dy linja të rëndësishme hekurudhore, të cilat tashmë ndodhen në fazat përfundimtare të procedurave konkurruese: Vorë–Hani i Hotit dhe Durrës–Rrogozhinë.
Linja Vorë–Hani i Hotit ka një vlerë mjaft të lartë, rreth 340 milionë euro, nga të cilat 153 milionë euro financohen tërësisht me grant nga Bashkimi Evropian.
Ndërsa linja Durrës–Rrogozhinë ka një vlerë prej 120 milionë eurosh, ku 50% e kësaj vlere, pra 60 milionë euro, financohen me grant nga Bashkimi Evropian.
Pra, bëhet fjalë për një mbështetje të konsiderueshme buxhetore. Vetëm për këto dy linja, rreth 250 milionë euro financohen me grante nga Bashkimi Evropian.
Dua të theksoj se të dyja këto linja hekurudhore janë projekte të plota. Pra, përfshijnë stacionet përkatëse, si dhe projektin e elektrifikimit. Janë projekte që konsiderohen “ready to build”, pra të gatshme për t’u ndërtuar.
Ku jemi aktualisht me këto dy linja hekurudhore? Për linjën Vorë–Hani i Hotit, Hekurudha Shqiptare ka shpallur tashmë fituesin dhe presim miratimin nga ana e BERZH-it, i cili, sipas parashikimit tim, do të jepet brenda pak ditësh. Në fund të vitit presim të kemi një kontratë të nënshkruar për këtë segment hekurudhor, çka do të mundësojë nisjen e punimeve në fillim të vitit 2027.
Po ashtu, për linjën Durrës–Rrogozhinë jemi në fazat përfundimtare të procedurës së prokurimit. Ende nuk kemi një fitues, por besoj se edhe në këtë rast, deri në fund të vitit, Hekurudha Shqiptare do të shpallë fituesin.
Edhe për këtë linjë, në fillim të vitit 2027 pritet të nisin zyrtarisht punimet, pasi projektet tashmë kanë marrë lejen e ndërtimit dhe janë gati për të filluar zbatimin.
Të dyja janë linja hekurudhore shumë të rëndësishme dhe do t’i shërbejnë zhvillimit ekonomik. Veçanërisht linja Vorë–Hani i Hotit do të jetë një mundësi e mirë për të rritur shkëmbimet tregtare me Malin e Zi dhe për të shtuar qarkullimin e mallrave.



