U arrit edhe kjo.
Luka Doncic nuk paska ndërmend të ndalet këtë sezon, dhe sukseset po I vijnë kaq lehtë.
Ose të paktën kështu duket.
Kampioni nga Sllovenia udhëhoqi Los Anxhelos Lejkërsat në fitoren e radhës, 131-123 në fushën e Feniksit.
Luka shënoi 43 pikë, shtoi 3 topa në tabela e 9 asistë, si dhe një vjedhje topi, në mbrëmjen kur kaloi një rekord të 50 viteve të fundit në NBA.
Në 12 ndeshjet e para të edicionit ai ka 468 pikë, duke kaluar nivelin që pati arritur Xhejms Harden në 2019-2020, me 464.
Kjo do të thotë niveli më I lartë që nga ai që arriti Uilt Çembërlen në 1963, që shënoi plot 538 pikë.
Po ashtu, Doncic po ndihmon Lejkërsat të luajnë në nivelet që ata patën kur fituan titullin për herë të fundit, në 2019-2020, të udhëhequr nga Lebron Xhejms.
Liqenasit kanë 12 fitore e 2 humbje, ndërsa këtë vit janë më të mirët në kampionat duke udhëhequr ndeshjet në gati 77 për qind të kohës.
Luka mbetet shënuesi më I mirë I sezonit me 39 pikë për ndeshje, duke lënë prapa rivalët si Entoni Eduards, Shej Gilgës-Aleksandër, Janis Adetokumbo dhe Viktor Uembanijama.


