Shqipëria, impresionon Brukselin!
Forumi i Zgjerimit të BE-së “Europë më e gjerë, Europë më e fortë”, vlerësoi me notën 10 rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Në fjalën e saj hapëse, Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, foli për një moment të ri në zgjerimin e BE-së, dhe Shqipëria, sipas saj, është pretendente për shkak të punës së saj impresionuese.
“Kemi mundësinë e një zgjerimi të ri të BE-së, Mali i Zi po mbyll negociatat, është në finish, Shqipëria po bën progres impresionues, Moldavia dhe Ukraina po bëjnë progres nën një presion të vështirë, kjo është impresionuese për ta parë. Ka një moment të ri, dhe mund të shkruajmë historinë e re të BE-së. Jetë të gjatë BE.”
Von der Leyen shpjegoi se Brukseli nuk ka për të ngadalësuar më në procesin e zgjerimit të BE-së, ndaj dhe strategjia e saj e re synon anëtarësimet e reja sa më shpejt.
Ajo shpjegoi se si do të veprohet me vendet kandidate si Shqipëria.
“S’mund të ngadalësojmë, duhet të veprojmë, traktatet tona bëjnë që të kemi vendime më efektive.
Dy qëllime kemi për zgjerimin, integrim më të shpejtë që benefitet të vijnë para anëtarësimit, dhe sigurimi i respektimit të rregullave pas anëtarësimit. Është e thjeshtë, progresi në reforma, sjell progres në integrim, dhe përfitimet më pas sigurisht.”
Pjesë e hapjes së zgjerimit të BE-së, mbajti fjalën edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Ajo foli për sulmet që kanë vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE, por siguroi se asnjë kërcënim i jashtëm nuk ka për ta ndalur zgjerimin e ri.
“E kemi të qartë panoramën, e shohim shpejtësinë me të cilën po ecin vendet kandidate. Ne kemi arritur këtë vit më shumë rezultate, se në 25 vitet e kaluara. Zgjerimi sot, vjen në një moment shumë më kompetitiv gjeopolitik se më parë. Vendet kandidate po përballen me kërcënime dhe sulme për të mos u anëtarësuar në BE. Rusia i prin kësaj, do të sabotojë bashkimin e Europës. Por përgjigjja jonë është e qartë, ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë!”
Ky është Forumi i dytë që mbahet në Bruksel për zgjerimin e Bashkimit Europian. Vetëm pak ditë më parë, vendet kandidate u ftuan bashkë me anëtarët në një tryezë në Dublin në Samitin e 9-të të Komunitetit Politik Europian të BE-së.
Shqipëria është një nga dy vendet pretendente për t’u anëtarësuar në BE brenda kësaj dekade. Me udhërrëfyesin e KE-së, negociatat kanë një afat mbylljeje deri në dhjetor 2027, kurse anëtarësimi mund të ndodhë para vitit 2030./abcnews.al


