Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri–Finlandë, e cila do të zhvillohet sot, më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Në kuadër të masave të marra, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa prej akseve rrugore pranë stadiumit.
Bllokimet do të nisin në orën 17:00 dhe do të vijojnë deri në përfundim të ndeshjes.
Rrugët ku do të kufizohet qarkullimi janë:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
– Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
– Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës Amerikane;
– Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës Amerikane;
– Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
– Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
– Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
– Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Ndërkohë, pak para përfundimit të ndeshjes, edhe në sheshin “Wilson” lëvizja e automjeteve do të devijohet drejt rrugës “Sami Frashëri”.
Policia bën me dije se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të hapura për qarkullimin e automjeteve.
Pjesë e planit janë edhe kontrollet e imtësishme ndaj tifozëve në hyrje të stadiumit, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të rrezikshme, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, banderolave me përmbajtje raciste dhe objekteve të tjera të ndaluara.
Policia u bën thirrje tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, për të shmangur radhët dhe vonesat përpara fillimit të ndeshjes.
Për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv janë angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të jenë në terren para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit.


