Nëntë shtetas të huaj janë arrestuar në Afrikën e Jugut, pasi dyshohet se po përpiqeshin të largoheshin nga vendi për të marrë pjesë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas policisë, të arrestuarit janë të moshës 20 deri në 26 vjeç dhe u ndaluan të dielën në mbrëmje gjatë një operacioni në Johanesburg. Ata u kapën në aeroportin ndërkombëtar OR Tambo dhe në një hotel në zonën e Bruma-s, në lindje të qytetit.
Autoritetet bëjnë me dije se personat po përgatiteshin të hipnin në avionë për t’u larguar nga vendi. Megjithatë, ende nuk dihet se ku do të udhëtonin dhe nëse synonin të luftonin në krah të Rusisë apo Ukrainës.
Në operacion morën pjesë disa struktura policore, përfshirë edhe Interpolin. Të arrestuarit dyshohet se kanë shkelur ligjet e Afrikës së Jugut, të cilat ndalojnë rekrutimin dhe pjesëmarrjen në veprimtari mercenare pa lejen e qeverisë.
Policia nuk ka bërë të ditur kombësinë e tyre, por ka konfirmuar se asnjëri prej tyre nuk ishte banor i Afrikës së Jugut. Sipas autoriteteve, hetimet po zhvillohen edhe në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të tjera, pasi dyshohet se të arrestuarit mund të kenë shkelur edhe ligjet e shteteve të tyre.
Rasti vjen në një kohë kur është rritur shqetësimi për rekrutimin e qytetarëve afrikanë për të luftuar në Ukrainë. Shtetas nga vende si Kenia, Gana dhe Afrika e Jugut kanë përfunduar në frontin e luftës në krah të Rusisë. Disa prej tyre pretendohet se janë mashtruar dhe nuk e kanë ditur se po dërgoheshin për të luftuar.
Sipas një vlerësimi të inteligjencës ukrainase, më shumë se 1.700 persona nga 36 vende afrikane janë rekrutuar për të luftuar për Rusinë.
Kenia ka raportuar se 252 shtetas të saj janë rekrutuar në mënyrë të paligjshme në Rusi. Ndërsa Gana bëri të ditur në shkurt se 55 qytetarë të saj kishin humbur jetën në konflikt, ndërsa 272 të tjerë dyshohej se ishin joshur për t’iu bashkuar luftimeve që prej nisjes së luftës në vitin 2022.
Edhe Afrika e Jugut është përballur me raste të ngjashme. Në shkurt, autoritetet arritën të kthenin në vend 17 shtetas që dyshohet se ishin mashtruar për t’u përfshirë në luftë. Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, pesë persona, mes tyre edhe një gazetar, u arrestuan me dyshimin se rekrutonin njerëz për konfliktin.
Nëntë personat e arrestuar pritet të dalin përpara gjykatës të hënën ose të martën. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi organizatat që dyshohet se qëndrojnë pas rekrutimit dhe organizimit të udhëtimeve të tyre.


