Investimet në Ballkanin Perëndimor dhe integrimi në zinxhirin e vlerës së BE-së do të jenë në fokus të samitit europian që do të mbahet në Tiranë. Zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, në një intervistë për “Money Report”, bëri të ditur se forumi do të mbledhë zyrtarë dhe drejtues të rëndësishëm europianë, mes tyre edhe komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.
Musabelliu theksoi se ky aktivitet, që organizohet për të dytin vit radhazi në kryeqytet, synon të nxisë investimet në rajon dhe të forcojë lidhjet ekonomike me Bashkimin Europian. Gjatë dy ditëve të forumit do të diskutohen mundësitë e zhvillimit në sektorë strategjikë, si industria, teknologjia, energjia dhe materialet e çmuara, me synimin për të diversifikuar ekonominë shqiptare dhe për të rritur përfshirjen e saj në zinxhirët europianë të vlerës.
“Forumi i investimeve është viti i dytë që organizohet në Tiranë dhe do të kemi fatin që të kemi zyrtarë dhe drejtues shumë të rëndësishëm. Thelbi i këtij samiti është nxitja e sa më shumë investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe përfshirja e Ballkanit Perëndimor në zinxhirin e vlerës së Bashkimit Europian. Forumi do të organizohet për gati dy ditë, do të kemi fatin që të kemi komisioneren për zgjerimin, Marta Kos. Është një forum që i kushtohet ekonomisë.
Gjithnjë e më shumë BE-ja ka fokusin në potencialin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Do të kemi sesione në sektorë të ndryshëm të industrisë, materialeve të çmuara, teknologjisë apo edhe energjisë. Në fakt, vetë integrimi në BE është një diversifikim i ekonomisë shqiptare.
Ndërkohë që ne jemi drejt rrugës së anëtarësimit në BE, ne kemi një vëmendje të shtuar të KE-së dhe vendeve anëtare për të ngjallur një sektor siç është industria dhe më pas kjo të përfshihet në zinxhirin e vlerës në BE”, tha Musabelliu.


