Analisti Roland Bejko, në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi çështjen e Erion Veliajt, duke u ndalur te ndikimi që ajo mund të ketë në zhvillimet politike brenda Partisë Socialiste.
Bejko u shpreh se pushteti i ushtruar për një kohë të gjatë krijon rrjete ndikimi dhe interesa të ndryshme, të cilat mund të reflektohen edhe në përplasjet politike.
Duke iu referuar protestës së “Flamingove”, analisti tha se në diskutimet publike është krijuar perceptimi për një përfshirje edhe të njerëzve të lidhur me Bashkinë e Tiranës, por theksoi se nuk ka prova për të konfirmuar këtë pretendim.
Sipas Bejkos, çështja Veliaj mund të ketë ndikim më të gjerë brenda PS-së, edhe për shkak të interesave dhe pakënaqësive të krijuara ndër vite.
Ai nënvizoi se në këtë dinamikë duhen marrë parasysh jo vetëm raportet mes Ramës dhe Veliajt, por edhe marrëdhëniet e kryeministrit me përfaqësues të biznesit, medias dhe aktorë të tjerë brenda së majtës.
“Erion Veliaj apo kushdo që është në pushtet për një kohë të gjatë, krijon atë shtratin e vet. Në bazë të perceptimit që u krijua në analizën që iu bë protestës së Flamingove u krijua dhe ajo fashë që po ishte edhe fasha e bashkisë, të paktën në diskutimin qytetas, por prova nuk e di se nuk kam. Por në shesh ka pasur edhe të majtë. Por nuk mund të them diçka që nuk e di. Por unë them që mund të ndikojë dhe bëhet interesant sepse nuk është vetëm Erioni që futet në lojë. Unë mendoj që te Veliaj ka njëlloj ndikimi publik brenda PS, kjo vjen edhe për shkak të shumësisë së , mandateve të PS ku ka krijuar kosto. Plus edhe armiqtë që ka bërë Rama në botën e PS, botën e biznesit por edhe të mediave. Sepse ka ndërveprime jo vetëm ligjore por dhe interesash. Dhe interesash duhet të maten nga vetë Rama sa ka bërë të kënaqur sa ka bërë armiq dhe sa prej tyre jo pse duan Veliaj por do duan dikë të dëmtojnë Ramën. Por pastaj vjen edhe opozita, sa do jetë në gjendje të rikuperojë humbjen katastrofike që ka në Tiranë”, tha ai.


