TIRANË- Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar uljen e pragut të TVSH-së, duke u shprehur se kjo masë nuk duhet parë si një ndarje mes biznesit të madh dhe atij të vogël.
Sipas saj, dallimi mes bizneseve përcaktohet nga pragu i tatimit mbi fitimin, ndërsa TVSH-ja është një taksë që rëndon mbi konsumatorin dhe jo mbi biznesin. Ibrahimaj argumentoi se ekzistenca e pragjeve tatimore mund të nxisë informalitetin, pasi bizneset shmangin marrjen e faturave dhe formalizimin për të mos kaluar në një regjim të ri tatimor.
“Unë nuk e shoh pragun e TVSH-së si një ndarje mes biznesit të madh dhe biznesit të vogël. Ajo që ndan konceptin tonë për biznesin e madh dhe të vogël është pragu i tatimit mbi fitimin, i cili është një nga pragjet më të larta që ka në rajon, por edhe në të gjithë Evropën.
TVSH-ja është një taksë që shkon te konsumatori dhe jo te biznesi. Pragjet nxisin informalitetin, sepse, duke ekzistuar një prag, atëherë kompania nuk mund dhe nuk do të marrë fatura më shumë, nuk do të formalizohet me qëllim që të mos hyjë në një regjim të ri tatimor. Unë nuk e shoh si negative uljen e pragut të TVSH-së. Nuk besoj se futja e TVSH-së do të sjellë ndonjë ngarkesë për biznesin e vogël, përveçse deklarimit”, tha ajo.
Ministrja u ndal edhe te bashkëpunimi me biznesin për të luftuar korrupsionin dhe për të reduktuar kostot që burokracitë administrative mund t’u shkaktojnë sipërmarrjeve.
“Është në bashkëpunim me biznesin të punojmë me qëllim që të reduktohet çdo formë e sjelljes korruptive. Të evidentojmë të gjitha praktikat, jo vetëm korruptive, por edhe praktika që janë burokratike, që mund të sjellin kosto shtesë për biznesin, të cilat duhet t’i analizojmë dhe t’i reduktojmë.”, tha ajo./abcnews.al


