Javët kalojnë por Vllaznia e këtij sezoni në Kategorinë Superiore mbetet e njëjtë, bashkë me ulje ngritjet e saj të forta, pa asnjë rrugë të mesme.
Shpresat se fitorja në “Klasiken” kundër Tiranës në fundjavë mund të ishte pika e kthesës për shkodranët janë shuar shpejt.
Skuadra e drejtuar nga Lazlo u mund 2-1 në fushën e Vorës, në sfidën që hapi javën e nëntë të kampionatit.
Merita e gjitha e vendasve të Bellait, që me një tjetër paraqitje pozitive treguan se tashmë janë mësuar në kategorinë elitë të futbollit në vend.
Vora kaloi në epërsi në minutën e 16-të me Kasharin, ndërsa ky gol vendosi edhe fatin e pjesës së parë, pavarësisht tentativave nga të dyja skuadrat, por vendasit gjithmonë më të rrezikshëm.
E njëjta pamje u shfaq në fushë edhe pas pushimit, por fati i ndeshjes do të vendosej vetëm në minutat e fundit.
Në të 85-ën, Vora dyfishoi diferencën me Daka. Goli I dytë ishte ai I sigurisë për të zotët e shtëpisë, pavarësisht pretendimeve të shkodranëve se aksioni duhej ndërprerë për ndërhyrje të gabuar.
Në këtë zhgënjim të radhës për Vllazninë, lajmi i vetëm i mirë erdhi vetëm në limitet e kohës së rregullt. Kapiteni Balaj u kthye te goli, duke shënuar nga pika e penalltisë.
Një rrjetë që vlen vetëm për statistika, pasi nuk ndihmoi Vllazninë, që mbyll fazën e parë të Kategorisë Superiore në vendin e parafundit me tetë pikë pas nëntë ndeshjeve.
E ligjshme festa e Vorës, që kapërcen pozicione në renditje, duke u ngjitur në vendin e pestë me 11 pikë.


