Policia e Shkodrës ka finalizuar megaoperacionin antidrogë të koduar “Polinomi”, pas një hetimi katërmujor të zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 265.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe dy mina të dyshuara antitank.
Në një konferencë për mediat, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Dashamir Spaho, bëri me dije se në kuadër të operacionit janë arrestuar katër persona, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë Admir Selgjekaj, Elsid Ramci, Bujar Kukaj, Naim Kukaj.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Esat Kukaj, Denjan Kukaj, Anarldo Mulleti.
Sipas policisë, të shtatë personat dyshohet se janë të përfshirë në veprimtarinë e një grupi kriminal që merrej me prodhimin, magazinimin, paketimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Por si funksiononte grupi i dyshuar kriminal?
Nga hetimet ka rezultuar se Bujar Kukaj, Naim Kukaj, Denjan Kukaj dhe Esat Kukaj, familjarë me njëri-tjetrin, dyshohet se merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndës narkotike.
Ndërsa Admir Selgjekaj, Elsid Ramci dhe Anarldo Mulleti, dyshohet se organizonin transportin dhe shitjen e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ndërhyrja e policisë u krye në lagjen “Guraj”, në Malësinë e Madhe, ku u ndalua një automjet tip “Volkswagen Passat”, që drejtohej nga 25-vjeçari Elsid Ramci.
Gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesat e dy vëllezërve të arrestuar, policia gjeti dhe sekuestroi 265.4 kilogramë kanabis, të përgatitur dhe të paketuar për shitje e trafikim.
Kontrollet vijuan edhe në një sipërfaqe toke në pronësi të 56-vjeçarit Bujar Kukaj, ku u zbuluan dy mina të dyshuara antitank. Ato iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminime të mëtejshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete që, sipas hetimeve, përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike.
Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, personat e përfshirë kanë precedentë të mëparshëm kriminalë në fusha të ngjashme. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale.
Policia po vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tre personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/


