TIRANË– Ndërsa prezantoi pikat e buxhetit të ri për vitin 2027, kryeministri Edi Rama, njoftoi ngritjen e Byrosë së kontrollit të specializuar të të Ardhurave.
Gjithashtu Rama, njoftoi edhe heqjen e taksës së qarkullimi nga çmimi i naftës, çka sipas tij do të përkthehet në ulje me 32 lekë në pompë të çmimit të naftës.
“Në ndërkohë, pranë Ministrisë së Financave do të krijohet edhe Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, për faktin se formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të Bashkimit Europian ose e thënë më thjeshtë, për të gjithë individët me të ardhura relativisht të larta do të jetë shumë i ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që mbushin prej vitesh të gjithë funksionarët publikë.
Pika 10, dhe këtë e lashë të fundit në radhë, sepse është një tjetër lajm të shumëpritur nga shumëkush, të cilin përsëri duhet ta mbani mirë parasysh, nuk e sjell dëshira e qeverisë, as dëshira ime – se dëshirën e kemi pasur gjithnjë – po e sjell rritja e ekonomisë: Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama./abcnews.al


