Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kosova miraton rezolutën me 14 pika pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kërkohet hetim dhe masa urgjente kundër dhunës

schedule08:55 - 27 Tetor, 2026

schedule 08:55 - 27 Tetor, 2026

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota pro një rezolutë me 14 pika, pas vrasjes së Arlinda Zekajt të dielën, nga ish-kunati i saj.

Seanca e jashtëzakonshme, e thirrur të hënën, zgjati afro gjashtë orë dhe në fokus kishte përgjegjësitë institucionale dhe masat për parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Një ndër pikat kryesore të rezolutës është themelimi i një Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që i paraprinë vrasjes. Hetimi do të përfshijë trajtimin e denoncimeve dhe kërkesave për ndihmë, vlerësimin e rrezikut ndaj viktimës, zbatimin e masave mbrojtëse dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve.



Përmes rezolutës, Kuvendi i kërkon Qeverisë të krijojë një linjë këshillimi falas për familjet që përballen me vështirësi ekonomike, sociale dhe psikologjike, si dhe të sigurojë shërbime të specializuara për parandalimin e sjelljeve të dhunshme.

Po ashtu, kërkohet themelimi i qendrave shtetërore për strehimin dhe mbrojtjen e grave viktima të dhunës, si dhe i një qendre të veçantë për fëmijët që përballen me dhunë, abuzim, neglizhencë apo situata të rënda familjare.

Rezoluta parashikon gjithashtu rishikimin e legjislacionit për qendrat për punë sociale, garantimin e ndihmës juridike falas për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës, si dhe zbatimin e një programi kombëtar për parandalimin e dhunës në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Një tjetër kërkesë lidhet me ndryshimet ligjore për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës. Kuvendi kërkon që femicidi të përfshihet si vepër penale më vete në Kodin Penal, të përcaktohet më qartë dhuna ekonomike dhe të sanksionohen posaçërisht format e dhunës në hapësirën digjitale. Gjithashtu, propozohet ndalimi i pajisjes me leje për armë për personat e dënuar për dhunë në familje apo ndaj grave.

Në kuadër të masave për mbrojtjen e grave dhe vajzave, kërkohet edhe krijimi i një njësie të specializuar të Policisë së Kosovës për hetimin e dhunës në hapësirën digjitale, si dhe themelimi i qendrave referuese për viktimat e dhunës seksuale.

Afat 72 orë për rishikimin e rasteve me rrezik të lartë

Një nga masat urgjente të rezolutës i kërkon Ministrisë së Brendshme që, përmes strukturave kompetente të Policisë së Kosovës, brenda 72 orëve të rishikojë të gjitha rastet aktive të dhunës me rrezik të lartë.

Për secilin rast duhet të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtarët përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore e lokale. Vëmendje e veçantë i kushtohet zbatimit të urdhrave mbrojtës dhe reagimit ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike.

Kuvendi kërkon gjithashtu që brenda 72 orëve të bëhen publike statistikat për rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë dhe institucionet përkatëse duhet të hartojnë një udhëzues të përbashkët për trajtimin e këtyre rasteve, nga denoncimi i parë deri te strehimi dhe mbrojtja e viktimave.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!