Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Gjobë deri në 500 mijë lekë”/ Rama: Ndryshojmë ligjin për tubimet, perimetër sigurie mbi godinat shtetërore

schedule11:15 - 25 Tetor, 2026

schedule 11:15 - 25 Tetor, 2026

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane.

Rama njoftoi ndryshim të ligjit për tubimet, gjithashtu theksoi se do të ketë perimetër sigurie mbi godinat shtetërore.

“Fshehja e identiteti të individëve në protestë është e ndaluar. Këtë ndalim do e përfshijmë në kodin penal si vepër penale me atë të 27 vendeve europiane duke ndjekur modelin francez. Sanksione të parashikuara nuk ndodh në asnjë vend që një grup njerëzish të ushtrojnë arbitrarisht protestës duke u mohuar të tjerë lëvizjen. Pjesëmarrje në tubim pa leje dhe mosbindje ndaj thirrjeve për largim do gjobiten nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Do krijohet regjistri i posaçëm elektronik”, tha ai.



Më tej kryeministri shtoi se do të fshihen postimet që nxisin dhunë në internet

Sipas masave të prezantuara, kush qëndron në një turmë duke e ditur se përreth po ushtrohet dhunë dhe po shkatërrohet prona, mund të gjobitet deri në 500 mijë lekë. Nga kjo masë përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët.

Për të miturit, përgjegjësia për pagesën e gjobave dhe mbulimin e dëmeve do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

Instrumenti i dytë: Ligj i ri sipas modelit francez “Kush thyen, paguan”.

Nëse akti normativ adreson dëmet e të kaluarës së afërt, ligji i ri që kemi hartuar për “riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve” krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë, “kush shkakton dëm, e paguan”, ku barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot. Ligji zbatohet për të gjitha tubimet në vende publike, të njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive, ku vijnë si pasojë dëme materiale mbi pronën,

Natyrisht dhe pa asnjë dyshim, askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre.

Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lind vetëm nga sjellja vetjake e personit, dhe ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes, por nga ana tjetër, çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimeve të policisë, do të përgjigjet financiarisht.

Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr e po thyhet e shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme dhe gjoba do të shkojë deri në 500 000 lekë të reja.

Përjashtohen sigurisht nga ky rregull, gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë, kalimtarët e rastësishëm.

Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në një protestë të dhunshme, gjobën do ta paguajnë prindërit ose kujdestari, sipas parashikimeve ligjore të Kodit Civil dhe kjo gjobë është titull ekzekutiv që hyn në fuqi menjëherë.

Instrumenti i tretë: Ndryshimet në ligjin “Për tubimet”

Ligji “Për tubimet” është i vitit 2001 dhe nuk parashikon asgjë për mjetet e teknologjisë digjitale që sot janë bërë një komponent themelor i protestave.

Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vendet publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese ndaj fenomenit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe mundësi sanksionesh, të cilat aktualisht janë simbolike krahasimisht me masat që sot vendet e tjera europiane kanë marrë dhe po marrin në përgjigje të këtij realiteti të ri dhune e anarkie urbane.

Konkretisht: Perimetra sigurie rreth objekteve të ndjeshme.

Kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore.

Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale.

Kur identifikon një thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mospërsëritjen e tij, duke i ofruar edhe mbështetje psikologjike kur ka nevojë.

Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia vepron sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë ndjekjen penale mbi bazën e figurave të veprave penale ekzistuese por edhe atyre të cilat janë propozuar në Kodin Penal sipas normave të reja europiane.

Identifikimi i personave të maskuar.

Sot, bazuar në ligjin ekzistues, fshehja e identitetit të individëve në protestë është e ndaluar, por ne do ta përfshijmë këtë ndalim në Kodin Penal, si vepër penale identike me atë të 27 vendeve europiane, duke ndjekur modelin francez.

Sanksione të parashikuara.

Nuk ndodh në asnjë vend demokratik të Bashkimit Europian, që një grup njerëzish apo një turmë e caktuar të ushtrojnë arbitrarisht lirinë e protestës, duke u mohuar të tjerëve lirinë e lëvizjes në qytet dhe duke u penguar punën, shkollën, planin e tyre të ditës.

Pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj thirrjeve për largim do të gjobiten nga 10 000 deri në 100 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës; mosbindja ndaj urdhërit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit do të gjobiten deri në 500 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Ndërsa bllokimi i qarkullimit do të gjobitet me 5 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës.

Së katërti: Regjistri i Posaçëm Elektronik

Me vendim të Këshillit të Ministrave krijohet Regjistri i Posaçëm Elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.

Regjistri administrohet nga Policia e Shtetit dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre personave.

Mbi bazën e këtij regjistri, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ushtrojë për çdo dhunues të drejtën që i jep ligji nr. 39/2025 “Për kontrollin e kufirit shtetëror” për t’u refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg për këto vepra.

Vendimi parashikon edhe njoftimin e autoriteteve të huaja të vendeve ku udhëton personi, si dhe të strukturave akomoduese vendase dhe të huaja, për rrezikshmërinë që ai paraqet për sigurinë dhe rendin publik, përfshirë dhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren.

Të jetë i bindur çdo dhunues, qoftë me banim në Tiranë dhe qoftë si ata me bluza të bardha e me maska që kishin ardhur dje nga Spanja, si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë dhe që tregonin muskujt në rrugën e Ministrisë së Arsimit se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë, pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë këtu në Tiranë.

Së pesti: Kodi i Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar

Shkolla duhet të mbetet hapësirë e sigurt për fëmijët dhe nëpërmjet Kodit të Etikës parashikohet se asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t’i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime të çfarëdo natyre, në kundërshtim me interesin e tyre e me pritshmërinë e prindërve.

Mësuesit do të pezullohen ose largohen nga detyra kur shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror, profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës.

Masa natyrisht nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur dhe për të protestuar vetë. Ajo ndalon vetëm përdorimin e marrëdhënies mësues–nxënës për t’i marrë fëmijët pas vetes për motive të të rriturve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!