Avokati Idajet Beqiri ka ngritur akuza ndaj Arlind Qorit, Adriatik Lapajt dhe Agron Shehajt, duke pretenduar se ata janë të lidhur me lëvizjen Antifa dhe se kanë pasur bashkëpunim politik me Sali Berishën.
Në “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri komentoi protestën dhe hodhi dyshime mbi organizimin dhe qëllimet e saj.
Sipas avokatit, para zgjedhjeve të majit, mes drejtuesve politikë ishte diskutuar për ndarjen e posteve në një qeveri të mundshme të drejtuar nga Sali Berisha. Beqiri pretendoi se Arlind Qori do të merrte postin e zëvendëskryeministrit, Agron Shehaj atë të ministrit të Financave dhe Adriatik Lapaj atë të ministrit të Drejtësisë.
Duke folur për protestën, avokati e cilësoi atë si antishqiptare dhe pretendoi se zhvillimet nuk kishin të bënin vetëm me pakënaqësitë qytetare.
“Këto 3 forca politike janë pjella të Sali Berishës. Para se të krijonin këto parti politike, Berisha i mori, i joshi. Duke marrë edhe premtime nga Berisha, Qori do të bëhej zv.kryeministër, Shehu ministër i Financave dhe Adriatik Lapaj ministër i Drejtësisë, Berisha do të ishte kryeministër. E kishin bërë qeverinë para se të futeshin në zgjedhjet e majit. Por, në vend që të pakësoheshin votat në PS, ato u shtuan dhe kjo ishte arsyeja që ata duhet të gjenin rrugë të tjera dhe rruga ishte që Qori, Agron Shehaj dhe Lapaj të bëheshin pjesë e Antifës nëpërmjet Qorit, që t’i vinin minat Shqipërisë. Kushdo që e quan protestë qytetare do të hiqet i moderuar, por ajo që kur nisi ishte antishqiptare. Nuk është se u tërhoq njëri zvarrë, e tërhoqën grekët atë atje. Dhe kështu filloi ajo protestë, proserbe, progreke, kundër ardhjes së investimeve strategjike të turizmit elitar. Kjo është organizata e Qorit. Por çfarë ishin ata dronë që do të hidhnin në erë Kryeministrinë? Ka ardhur koha të shpallet organizatë terroriste. Jam i bindur se, sikur edhe non gratën e shpallën amerikanët, do t’i konsiderojnë edhe këta”, tha ai.
/abcnews.al/


