Një ditë më parë, ABC News zbuloi lidhjet e Lëvizjes Bashkë të Arlind Qorit me Internacionalen Progresiste, një prej 101 organizatave që, sipas Fox News Digital, janë të përfshira në organizimin, koordinimin ose promovimin e protestave të dhunshme dhe kaosit në Europë. Ndërkohë, të tjera detaje dalin në pah.
Jo vetëm që anëtarësia e Lëvizjes Bashkë në Internacionalen Progresiste konfirmohet edhe në faqen zyrtare të vetë Internacionales Progresiste, por Shqipëria, në faqen e rrjetit ndërkombëtar të së majtës, paraqitet si një nga frontet e përballjes ndërkombëtare kundër asaj që organizata e quan Internacionalja Reaksionare.
Një shkrim i 15 qershorit të këtij viti flet për protestat kundër projekteve në bregdet dhe përshkruan një rrjet ndërkombëtar kërkimor që studion financimet, mediat, teknologjinë dhe operacionet politike të kundërshtarëve të saj.
Internacionalja Progresiste thotë në një tjetër dokument se bashkëkoordinatori i saj, David Adler, ka qenë personalisht në Tiranë me aktivistët e Lëvizjes Bashkë.
Ndërsa në një shkrim të 29 qershorit, po të këtij viti, citohet drejtpërdrejt Arlind Qori, përshkruhet protesta e flamingove si pjesë e një përballjeje ndërkombëtare dhe shprehet mbështetje e hapur për Lëvizjen Bashkë. Në fund bëhet edhe thirrje për donacione prej 10, 20 dhe 50 dollarësh për mbështetjen e fushatës.
A kanë përfunduar këto donacione te Lëvizja Bashkë? Nëse po, sa dhe për çfarë janë përdorur? Nëse jo, kush i ka administruar?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet t’i japë drejtuesi i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, dhe deputeti i kësaj lëvizjeje, Redi Muçi.
Lëvizje që, siç zbuloi ABC News një ditë më parë, Internacionalja Progresiste e identifikon si një forcë politike shqiptare të së majtës, të krijuar në dhjetor të vitit 2022, pas aktivitetit të mëparshëm të Organizatës Politike në çështjet e punëtorëve, studentëve dhe aktivizmit shoqëror.
Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është se çfarë roli luajnë këto struktura në përhapjen e kauzave politike përtej kufijve kombëtarë dhe si ndërthuren veprimtaritë e tyre me rrjetet e tjera të aktivizmit ndërkombëtar.
Ndërkohë që protestat në Shqipëri analizohen bashkë me ato në Spanjë, Francë dhe Indi në një dokument të publikuar më 16 tetor të këtij viti, tri ditë pasi protestat nisën në Tiranë.
Gjithashtu, është Fox News në investigimin e saj që deklaron se Internacionalja Progresiste ka promovuar mobilizimet në Francë dhe i ka lidhur ato me protesta e lëvizje në vende të tjera, përfshirë vendin tonë, Shqipërinë.
Paralelisht me investigimin mbi rrjetet e protestave, vëmendja e mediave amerikane është përqendruar te Neville Roy Singham, një sipërmarrës amerikan i cili ka financuar organizata politike, media dhe struktura jofitimprurëse në disa vende. Sipas investigimeve të NYT dhe Fox News, Singham financon organizata që promovojnë ide marksiste, socialiste dhe antiimperialiste, ndërsa disa prej tyre publikojnë përmbajtje që përputhet me interesat politike të Kinës.
Singham, sipas mediave amerikane, po hetohet nga një juri federale në Nju Jork për shkelje të mundshme të ligjit për regjistrimin e agjentëve të huaj, si dhe për çështje të mundshme tatimore dhe financiare.
Paralelisht, një komision i Kongresit amerikan ka kërkuar dokumente financiare nga organizata të lidhura me rrjetin e tij.


