Dëshmitarë okularë dhe avokatët mbrojtës rindërtojnë operacionin e dëbimit të mësuesit gylenist nga Shqipëria mes thirrjeve të dëshpëruara për azil dhe në mungesë të avokatit dhe përkthyesit, ndërkohë që Policia e Shtetit mbrohet me faktin se ai nuk kishte dorëzuar asnjë kërkese formale për azil.
Më 1 janar, pas gati pesë orësh pritje në të ftohtë për lirimin e mësuesit Harun Çelik nga burgu 302 në Tiranë, një duzinë personash- shumica turq që jetojnë në Shqipëri, u bënë dëshmitarë të një operacioni të errët të Policisë së Shtetit, pa mundur të pengojnë dëbimin e tij si “pako postare” drejt Turqisë.
Në vend të lirimit, 42 vjeçari Çelik u ngjit në një fuoristradë policie në burgun 302 për t’u dërguar fillimisht në Ambasadën turke në Tiranë, më pas në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit dhe në fund në aeroportin “Nënë Tereza” si pasagjer i detyruar i fluturimit të orës 20:55 të “Air Albania”; një prej kompanive simbol të bashkëpunimit mes qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe asaj të Presidentit Rexhep Taip Erdogan.
E gjithë skena zgjati më pak se katër orë në një ditë feste dhe pushimi në Tiranë, duke lënë pas një mori pikëpyetjesh mbi ligjshmërinë e dëbimit, motivet dhe shkeljen e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga Shqipëria. “Është rrëmbim personi,” i tha BIRN një dëshmitar turk i dëbimit të Çelik në një nga kafenetë e Tiranës, ku u takuam në praninë e një përkthyesi. Ndjekës i të gjitha lëvizjeve të Çelik nga burgu deri në aeroport, ai e përshkruan skenën përballë Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Laprakë si momentin e parë kur e kuptuan se çfarë po ndodhte, duke i bërë thirrje Harun Çelik që të kërkonte azil dhe avokat.
“Ai filloi të bërtiste azil-azil dhe nuk pranoi të hipte në makinë. Dy policë e kapën nga krahët dhe e kthyen sërish brenda në polici. Kur e morën kështu, i ranë këpucët në tokë,” shtoi dëshmitari me duart që i dridheshin. Ende i frikësuar, ai kërkoi që të mos përdorej asnjë detaj që mund ta identifikonte.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes intervistave me dëshmitarë okularë dhe avokatët mbrojtës tregojnë se Policia shqiptare e dëboi forcërisht Harun Çelik dhe bëri një vesh shurdh ndaj thirrjeve të tij të dëshpëruara për azil, pasi e kishte shoqëruar më parë brenda ambasadës turke në Tiranë. BIRN mësoi gjithashtu se në orët e tij të fundit në Shqipëri, Çelik iu mohua e drejta e avokatit dhe përkthyesit dhe firmosi dokumente në mungesë të tyre.
Mbrojtësit e Çelik, Elton Hyseni dhe Alban Bengasi si dhe simpatizantë të lëvizjes Gylen në Tiranë akuzojnë policinë se ka kryer deportim të paligjshëm dhe në shkelje të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Por drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i hodhi poshtë akuzat në një bisedë telefonike me BIRN, duke e cilësuar deportimin një procedurë rutinë për ata që kapeshin me dokumente false.
“Nuk ka pasur asnjë kërkesë formale për azil dhe ai i firmosi vetë formularët për t’u kthyer në Turqi,” tha Veliu, pa i dhënë përgjigje pyetjes nëse Çelik ishte asistuar me përkthyes dhe avokat gjatë firmosjes së formularëve.
Veliu pranoi gjithashtu se para deportimit, policia e shoqëroi Çelik në ambasadën turke në Tiranë për ta pajisur me leje kalimi, ndërsa shtoi se nuk ishte punë e tij që të verifikonte nëse personit i cënohej jeta apo kishte rrezik në vendin ku po dërgohej.
I pyetur nga BIRN nëse ishte konsideruar kërkesa verbale për azil në momentet e fundit, Veliu u përgjigj “kjo nuk është një lojë ngriva-shkriva”.
“Në rajon për një firmë”
Harun Çelik, baba i katër fëmijëve me profesion mësues u ndalua më 8 korrik 2019 në aeroportin e Rinasit bashkë me shtetasin tjetër turk, Selami Simsek, në përpjekje për të udhëtuar në Kanada përmes një vize false. 42-vjeçari, i cili besohet se është pjesë e lëvizjes së frymëzuar nga kleriku Fetullah Gylen, ishte larguar nga Turqia përpara grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 dhe kishte qëndruar në Kazakistan bashkë me familjen.
Çelik u dënua me 13 muaj burg për “përdorim të dokumenteve të falsifikuara” dhe në përfitim të gjykimit të shkurtuar, qëndroi 5 muaj e gjysmë në burgun 302 në Tiranë.
Sipas një urdhri të firmosur nga prokurori, Çelik duhej të lirohej më 1 janar 2020, në orën 11:30. Si i ikur nga Kazakistani, pa asnjë lidhje të mëparshme në Shqipëri, Çelik mendohej se nuk do të kishte askënd që ta priste jashtë qelive të burgut në ditën e parë të vitit.
Megjithatë, tre simpatizantë të lëvizjes “Hizmet”, që ishin vënë në lëvizje nga e motra e mësuesit u ngulën para dyerve të burgut 302 paraditen e 1 janarit. Dëshmitari, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se e kishte ndjekur çështjen e tij përmes avokatëve gjatë gjithë kohës.
“Nuk e kam njohur më përpara. Pasi u arrestua në Shqipëri, motra e z.Çelik më gjeti përmes të njohurve të përbashkët,” tha ai.
Në mesin e dhjetorit ai kishte mësuar nga avokatët se Çelik do të lirohej më 31 dhjetor, por ishte shtyrë për në datën 1. Mëngjesin e asaj dite, prokuroria kreu procedurat përfundimtare dhe lëshoi një urdhër për lirimin e tij në orën 11.30.
Dëshmitari thotë se ndërsa prisnin para derës së burgut dhe Çelik nuk po dilte prej saj, u interesuan te roja të mësonin çfarë po ndodhte. “Pasi pritëm 1 orë, 2 orë, folëm me rojen, por nuk na tha gjë. Më pas doli një zotëri 50-55 vjeç, drejtues i burgut. Na tha që do të dalë, por personi që ka në dorëzim sendet personale ishte në Shkodër, pasi ishte ditë pushimi dhe do prisnin sa të vinte që të merrte në dorëzim sendet personale,” tregoi ai.
Dy orë të tjera kaluan pa asnjë lajm, derisa një drejtues i burgut doli sërish për t’u konfirmuar se Çelik do të lirohej, por më parë duhej të shkonte në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit për të nënshkruar “disa letra”.
“Pak më vonë doli një xhip i policisë. Shkojmë të shohim dhe Harun ishte brenda bashkë me drejtorin e policisë kufitare,” thotë dëshmitari, edhe pse nuk është e qartë se cili ishte drejtuesi i Policisë që e shoqëroi Çelik. Dëshmitari thotë se ai që ata e identifikuan si “drejtor të policisë” u kishte thënë nga brenda xhamit të makinës se “do e çonin në rajon për të hedhur një firmë”.
Kontakti me drejtuesin e policisë së kufirit dhe pretendimi i tij për firmën i kishte bërë të dyshonin. Megjithatë, këmbanat e alarmit u ndezën plotësisht kur roja i burgut u tha se në të vërtetë, Çelik po shoqërohej në ambasadën e Turqisë në Tiranë.
Nga biseda me kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u kuptua se “firma” ishte pranimi për t’u kthyer në Turqi. “Ka firmosur vetë,” tha Veliu në një bisedë telefonike me BIRN, duke e konsideruar këtë miratim të deportimit nga Çelik.
Por avokati i Çelik, Elton Hyseni i konsideron të dyshimta veprimet e policisë dhe denoncon faktin se një përfaqësues i zyrës së tij avokatore nuk ishte lejuar të takohej me klientin në kohën që po kryheshin procedurat.
Hyseni i tha BIRN se ata kishin kërkuar dokumentet mbi të cilat ishte bërë deportimi, por tha se deri së fundmi “ishin në errësirë”. Hyseni po ashtu tha se kishin kërkuar edhe hyrje-daljet nga burgu për të parë kush kishte bërë shoqërimin dhe po ashtu edhe pamjet e sigurisë, por ende nuk kishin marrë asnjë përgjigje.
Roli i Ambasadës turke
Për Zyrën Konsullore të Ambasadës turke në Tiranë, ku lëshohen pasaportat e përkohshme apo lejet e kalimit, 1 janari ishte një ditë pushimi. Në faqen zyrtare të Ambasadës gjendet ende njoftimi për mbylljen e zyrave në datat 1, 2 dhe 3 janar 2020, me rastin e pushimeve zyrtare.
Megjithatë, dyert e ambasadës turke janë hapur enkas pas orës 17:00 të pasdites, për të mikpritur furoristradën e Policisë shqiptare brenda së cilës ndodhej Harun Çelik. Ky fakt tradhton pretendimet për padijeni të drejtuesve më të lartë të policisë për fatin që priste Harun Çelik në Turqi.
Drejtori i Policisë, Ardi Veliu i tha BIRN se Çelik ishte dërguar në ambasadë për të marrë “leje kalimin”, një dokument që i duhej për ta hipur në avion.
“Ai u pajis me leje kalimi nga amabasada turke në Tiranë. Pa leje kalimi, nuk e pranonte personeli i avionit,” tha Veliu.
Ndryshe nga itinerari i makinës së policisë që shoqëronte Çelik, shtetasit turq u nisën nga burgu 302 në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit Tiranë. Dëshmitari i tha BIRN se kishin njoftuar të tjerë persona dhe para zyrave të policisë u bënë rreth 15 veta, përfshi një përfaqësues të zyrës ligjore që kishte mbrojtur Çelik.
Kur mbërritën në Laprakë mësuan se Çelik nuk ndodhej aty.
“Atje kishte shumë qetësi”, tregoi dëshmitari.
“Filluam të shqetësoheshim. U ulëm në një kafe përballë policisë, pastaj erdhi e njëjta makinë që e kishte marrë te burgu. Çelik ishte brenda. Ishte shoferi, drejtori, ndërsa mbrapa nuk e pamë nëse kishte njeri tjetër, sepse makina kishte xhama të zinj,” thotë ai.
Nga kronologjia e ngjarjeve rezulton se vizita në Ambasadë ishte bërë para firmosjes së formularëve në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, duke dhënë përshtypjen se Çelik do të deportohej, pavarësisht nëse firmoste apo jo formularët që iu vunë përpara nga policia.
Dëshmitari thotë se pasi kishin parë makinën, ata nuk kishin pasur mundësi të flisnin me Çelik. Ai ishte shoqëruar në brendësi të zyrave të policisë.
“Hynë brenda dhe nuk e dimë çfarë po ndodhte”, tha ai.
Avokati Hyseni i tha BIRN se përfaqësuesi ligjor i dërguar prej tij në vend kishte kërkuar të merrte kontakt me Çelik, por kërkesa e tij ishte refuzuar. Pak kohë pasi ishte futur në zyrat e policisë, Çelik u shoqërua jashtë dhe oficerët e drejtuan atë për ta hipur sërish në makinë, por kjo përpjekje dështoi pas thirrjeve për azil.
Avokati Hyseni konfirmoi momentin e kundërshtimit të Harun Çelik për t’u futur në makinën e policisë dhe thirrjet e tij për azil në oborrin e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, të treguara nga kolegu i tij avokat dhe përkthyesi, që ishin gjithashtu dëshmitarë. Hyseni tha se përkthyesi kishte qenë personi që kishte bërtitur për të kërkuar azil.
Drejtori i Policisë, Ardi Veliu i tha BIRN se nuk kishte dijeni nëse në këtë proces ishte përdorur forcë.
Pas protestës së shkurtër te zyrat e Drejtoris së Policisë së Kufirit dhe Migracionit, filluan të mbërrinin forca të tjera policie me makina dhe me motorë. “Disa policë na kërkuan me mirësjellje të largoheshim. Na thanë: “Ikni tani, nuk ka më asgjë, hajdeni nesër në 8.30 të mëngjesit,” kujton dëshmitari, ndërsa shton se ishin detyruar të largoheshin.
Dyshimet ishin bërë të forta dhe parandjenja u thoshte se të nesërmen Harun Çelik nuk do ishte më aty dhe se tashmë bileta e udhëtimit ishte prerë.
“Kishim dëgjuar për raste të tilla të ngjashme në vende të tjera dhe vendosëm të shkonim në aeroport”, thotë dëshmitari.
Gjatë rrugës me makinë për në Rinas, makina e policisë – e njëjta që kishte shoqëruar Çelik nga burgu në zyrat e policisë i parakaloi.
“Ishte me eskortë dhe me shpejtësi, 120 kilometra në orë ndoshta,” shton dëshmitari.
Edhe ata nxituan për të mbërritur në Rinas. Pamje filmike të një trasmetimi live në Twitter i ka filmuar ata teksa vrapojnë pas makinës së policisë dhe i kërkojnë Çelik të bëjë sikur “i bie të fikët”, me shpresën se kjo do të ndalonte deportimin.
Megjithatë, të gjitha përpjekjet rezultuan të dështuara.
Dëshmitari i tha BIRN se Harun Çelik, i shoqëruar nga policë u fut fillimisht nga hyrja normale e pasagjerëve. Por e kthyen mbrapsht dhe e futën në një portë tjetër ngjitur me hyrjen VIP.
“Kur arritëm e dëgjuam të bërtiste “Azil”, tregon ai. Ata qëndruan aty derisa avioni i linjës së Stambollit u ngrit në ajër.
Debati për azilin
Mediat turke raportuan se Harun Çelik u arrestua menjëherë sapo zbriti në aeroportin e Stambollit si një anëtar i FETO-s, inicialet me të cilat njihet në Turqi lëvizja Gylen. Mbi të rëndojnë tashmë akuzat e të qenit anëtar i një organizate terroriste, i financimit të terrorizmit dhe spiunazhit ndërkombëtar kundër shtetit turk –akuza të zakonshme këto për qindra mijëra persona në Turqi, të cilët konsiderohen nga qeveria e Erdogan si mbështetës të lëvizjes Gylen.
Shqipëria ka qenë vazhdimisht nën presion nga Turqia për të dëbuar simpatizantët e Gylen, një lëvizje e shtrirë në të gjithë botën e ndjekësve të predikuesit islamik Fetullah Gylen, i cili aktualisht jeton në SHBA. Qeveria shqiptare ka refuzuar më parë kërkesën për mbylljen e shkollave të themeluara nga lëvizja Gylen, por pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, kryeministri Rama ndryshoi retorikë dhe e cilësoi organizatën Gylen të “rrezikshme”.
Në tetor 2018, presioni i qeverisë turke, e cila më herët ia kishte dalë të merrte 6 mësues nga Kosova fqinje, u rrit. Megjithatë deri në dëbimin e Çelik, nuk kishte ndonjë shenjë se Shqipëria do të pranonte kërkesat e Turqisë.
Dëbimi i Harun Çelik kompromenton kredencialet perëndimore të Shqipërisë dhe e vendos vendin përballë pikëpyetjeve të sikletshme mbi rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e konventave ndërkombëtare.
Megjithatë, Policia e Shtetit mbrohet me faktin se nuk ka marrë asnjë kërkesë për azil, as nga Harun Çelik dhe as nga avokatët e tij.
“Kishte të drejtë për 6 muaj të kërkonte azilin. Nuk e ka kërkuar në asnjë formë, nuk ka asnjë shkresë, as nga ai, as nga avokatët,” tha Ardi Veliu për BIRN.
Avokatët e Çelik, Alban Begasi dhe Elton Hyseni pranuan mungesën e një kërkese formale, por u ankuan se autoritetet nuk u kishin dhënë atyre asnjë mundësi. Megjithatë, ata i konsiderojnë kërkesat verbale të Harun Çelik para policisë si të mjaftueshme për t’u marrë parasysh.
“Procedura për azilin është konfidenciale dhe ne na është thënë nga autoritetet se aplikimi mund të bëhej vetëm personalisht nga Çelik, pasi ai të lirohej nga burgu,” tha avokati Hyseni.
Veliu e kundërshtoi pretendimin e avokatëve dhe tha se procedurat e përcaktuara nga ligji e detyronin të huajin që hynte në Shqipëri me dokumente të falsifikuara të aplikonte për azil menjëherë pasi kishte hyrë në Shqipëri dhe të deklaronte se po përdorte dokumente false.
Por në përkufizimet e tij, ligji 121/2014 “Për azilin” shpjegon se kërkesa mund të bëhet në çdo moment dhe në çdo lloj forme.
“Kërkesë për azil” është çdo deklaratë e të huajit ose personit pa shtetësi, e shprehur në çfarëdolloj mënyre e në çfarëdo kohe përpara autoriteteve kompetente në pikat e kalimit kufitar apo brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili kërkon mbrojtje ndërkombëtare, sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar,” thuhet në pjesën e parë të ligjit.
Qëndrime kontradiktore ka edhe për faktin nëse Harun Çelik mundej ose jo të përfitonte azil politik në Shqipëri pas dënimit të tij për “përdorimin e dokumenteve false”.
Zv. ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila mbulon çështjet e azilit në Ministri mbrojti procedurat e Policisë së Shtetit si në përputhje me konventat për të drejtat e njeriut. Në një bisedë telefonike me BIRN, Voda pretendoi që ndonëse nuk e njeh rastin, ligji për azilin i akualifikonte personat e dënuar për vepra penale për të cilat parashikohej dënim deri në 5 vjet që ta përfitojnë atë.
Në të kundërt, ligji “për Azilin në Republikën e Shqipërisë” nuk i mbështet pretendimet e Vodës. Ndërsa falsifikimi nuk përfshihet në krimet ndaluese, neni 6 i ligjit përcakton se përjashtohen vetëm ata që dënoheshin për krime për të cilat parashikohej dënim mbi 7 vjet./BIRN